Ukraina do Shevcenkon

Emri i tij nuk do të jetë më në formacionin e ndonjë skuadre të futbollit. Por, ndoshta Andrij Shevçenkon do ta gjejmë shpejt në stol në rolin e trajnerit. Kjo pasi Federata Ukrainase e Futbollit (FFU) lajmëron se i ka bërë ftesë që ai të ulet në stolin e ekipit përfaqësues.
Shevçenko, 36-vjeçar i dha fund këtë verë karrierës së tij të shkëlqyer 18-vjeçare me synimin për t’u futur në politikë. Gjithsesi, Federata ka mendim dhe synim tjetër. Presidenti Anatolij Konkov shpreson të gjejë një emër të madh për ta caktuar si trajner pasi ish-drejtuesi Oleh Blohin u largua dhe u bë trajner i Dinamos së Kievit.
Sheva, po ashtu si Blohin, gëzon një status legjende në Ukrainë, pasi të dy sulmuesit e kanë fituar nga një herë Topin e Artë të Europës, diçka që i bën nder vendit të tyre shpesh herë të margjinalizuar në historinë e kontinentit të vjetër. Bashkë me ta, edhe Igor Belanov e ka fituar Topin e Artë
Andrij ka shënuar 56 gola në 111 ndeshje me fanelën verdheblu duke qenë rekordmen, ndërsa ka qenë i shkëlqyer për Dinamon e Kievit e Milanin, por diçka më pak me Çelsin.
Shevçenko nuk ka asnjë përqindje përvoje si trajner, por presidenti Konkov nuk është i shqetësuar dhe thotë se rasti i Pep Guardiolës shpjegon gjithçka. Pep u bë trajner i Barçës pas asnjë përvojë dhe krijoi një epokë madhështore në “Kamp Nou”.