E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talenti Morata shpeton Realin

Mbrëmja që çdo fëmijë ëndërron. Në Valencia, në fushën e përmbytur të Levantes, është një djalosh që shpëton Realin e Madridit: bëhet fjalë për Alvaro Morata-n, i rritur në akademinë “merengue” që mban skuadrën e Jose Mourinhos në garën për titull.

Rrjeta e 20-vjeçarit vjen pas disa javëve me polemika rreth ekipeve zinxhir në “Bernabeu”. Mourinho që i mbyll derën të rinjve dhe nuk merr pjesë në ceremoninë e Akademisë, ndërsa Morata që e rihap dhe shënon një prej golave më të rëndësishëm të sezonit madrilen.

Mbrëmja valenciane ishte mjaft e veçantë për Realin e Madridit. Gjithçka nisi me një lëndim në vetull të Cristiano Ronaldos, pas goditjes me bëryll të Navarros. Ylli portugez doli nga fusha për të marrë ndihmën e shpejtë dhe pak minuta pas rikthimit shënoi golin e avantazhit.

Në fushën e shndërruar në pishinë, yjet e Realit kanë vuajtur dhe Levante merr zemër duke rrezikuar menjëherë të barazojë. Vendasit bëhen edhe më të rrezikshëm në pjesën e dytë, kur Mourinho kthen skuadrën në fushë pa Ronaldon, që kishte marrje mendësh.

Rodriguez barazon shifrat në të 62-ën, ndërsa edhe pse pa sulmues të mirëfilltë në fushë, Reali krijon shanse për të shënuar. Di Maria godet traversën, ndërsa në të 70-tën Xabi Alonso shpërdoron një 11-metërsh.

Tetë minuta përpara mbylljes së takimit, në fushë hyri i riu Morata. Një lajm më vete ky për Realin “galaktik”. Në aksionin e parë sulmues, ai devijoi me kokë harkimin e Xabi Alonsos dhe e dërgon topin në rrjetë. Një gol që i jep fitoren Realit dhe ruan diferencën me 8 pikë nga Barça kryesuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›