E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas vendimit, Sejdiu në Tiranë: Bashkë në “betejën” për njohje



Dy ditë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e njohu si të ligjshme deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Fatmir Sejdiu u bashkua me zërat e liderëve shtetërorë në Shqipëri, për t’i bërë thirrje Beogradit të njohë Republikën e re dhe të jetë konstruktiv në rajon. Vizita e z. Sejdiu në Tiranë ishte jozyrtare. Ai u takua me Presidentin, Bamir Topi dhe Kryeministrin, Sali Berisha. Edhe pse vizita ishte jo-zyrtare, Presidenti i Kosovës nuk mundi të shmangte takimin me mediat për t’u shprehur pas një momenti kaq të rëndësishëm për Kosovën dhe ligjshmërinë e saj në botë. Takimi i parë i Presidentit Sejdiu u zhvillua me Presidentin, Bamir Topi në hotel “Rogner” në Tiranë. Pas mëngjesit të punës, ata zhvilluan një konferencë për mediat. Dy krerët kanë apeluar ndaj zyrtarëve të shtetit të Serbisë, për t’u treguar më bashkëpunues në rajon. “Shpresoj që edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç të bëhet pjesë e kësaj njohjeje, pasi vendet në rajon kanë treguar që dinë të bashkëpunojnë, pasi të gjitha vendet e rajonit janë në një linjë, atë të integrimit”, tha Presidenti Topi. Ndërsa homologu i tij, Sejdiu u shpreh se, “Edhe pse këtu ndodhem për takime informale, së bashku me Topin biseduam mbi këtë çështje dhe ndajmë të njëjtin mendim. Shpresojmë që pas mendimit të GJND, Republika e Serbisë të jetë më bashkëpunuese në rrafshin rajonal”, tha Sejdiu. Presidenti Topi theksoi se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë do të shtojë valën e njohjeve të shtetit të ri. Më pas, Presidenti Topi theksoi takimet që priten të bëhen në shtator në KS të OKB në SHBA ku, Shqipëria dhe Kosova tha ai do të ngrenë zërin së bashku për Kosovën. I pyetur mbi hapat që mund të ndjekë Serbia pas vendimit të GJND-së, Topi tha se përpjekjet për interesat e veta janë e drejtë e Serbisë. Ndërsa Sejdiu shtoi se pavarësisht se ç’mund të bëjë Serbia në këtë drejtim, “rrota e historisë nuk mund të ndalet dhe as të kthehet prapa. është në interes të Serbisë ta njohë Kosovën, pasi në këtë rast i jep kontribut më të madh në radhë të parë vendit të vet, Serbisë”. Në mesditë, Presidenti Sejdiu mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin, Sali Berisha. Duke e vlerësuar të mbaruar çështjen e vlefshmërisë së Pavarësisë të Kosovës, kreu i Qeverisë u fokusua në tërësinë territoriale të Kosovës. “Kushti për paqen është respektimi i kufijve të shteteve. çdo përpjekje për modifikim të kufijve është e rrezikshme, pasi bie ndesh më idealet europiane”, theksoi Kryeministri Berisha. Edhe Berisha u bëri thirrje autoriteteve serbe të reagojë në lidhje me Kosovën. “Shqipëria dhe Kosova do të bëjnë përpjekje për të shtuar numrin e vendeve që do të njohin Pavarësinë e shtetit më të ri në Ballkan. Serbia duhet të reagojë në lidhje me qëndrimin e saj ndaj Kosovës”, u shpreh Berisha. Sipas Sejdiut, vendimi i GJND-së ishte i paanshëm dhe i pakontestueshëm. “Pas kësaj Kosova kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë, e cila duhet të tërhiqet pas vendimit se nuk do njohë Pavarësinë. Ne do zbatojmë ligjet tona, mes të cilave dhe ajo të bashkëpunojmë dhe me Serbinë”, përfundoi Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›