Tirana s’ka para,përfundon në Pukë
Problemet financiare nuk i ndahen Tiranës, e cila është e detyruar që të kryejë fazën përgatitore në Pukë. Bardheblutë pas përfundimit të aventurës në Ligën e Evropës po përgatiten për të nisur sezonin e ri në kampionatin shqiptar. Si rrallëherë në historinë e tyre, kryeqytetasit për këtë fazë përgatitore kanë gjetur zgjidhjen më ekonomike. Kjo pasi, edhe pse me dy donatorë, sërish paratë kanë qenë të pakta. Financat kanë qenë një prej problemeve kryesore tek Tirana në muajt e fundit. Dhe këto u reflektuan që pas 31 qershorit, kur u larguan pesë titullarë. Gjatë kësaj kohe, skuadra 24 herë kampione e ka vuajtur shumë çështjen e sigurimit të financave. Dhe kjo e ka detyruar që të bëjë një merkato të kursyer. Kur u duk se gjërat do të ndryshonin, pas rikthimit si president të Refik Halilit, vjen lajmi i radhës, sipas të cilit tani skuadra do ta kryejë fazën përgatitore në Pukë. Kështu, bardheblutë janë treguar më “patriotët”, duke vendosur që të përgatiten për kampionatin e ri brenda territorit shqiptar. Vetëm tri ditë më parë, Bashkia e Tiranës rikonfirmoi Halilin si president. Nisur nga kjo, paratë për ekipin nuk do të mungojnë. Por, duket se ato do të përdoren më shumë për merkato. Ndërsa për fazën përgatitore, ekipi përfundon në Pukë.
Nisja
Tirana do të niset për t’u stërvitur ditën e enjte. Nga informacionet e marra, ajo do të zgjasë rreth 20 ditë e më pas ekipi do të kthehet në kryeqytet. “Fazën përgatitore do ta kryejmë në Pukë, do të nisemi ditën e enjte”, – konfirmon shefi i klubit Dimraj. Në këtë mënyrë bardheblutë do të kenë mundësi që të stërviten në një vend malor e me temperatura më të volitshme, duke shmangur kështu të nxehtin e madh në kryeqytet. I gjithë grupi, i cili ishte pjesë e ekipit gjatë katër ndeshjeve të paraeliminatoreve të Ligës Evropiane, nga informacionet e marra do të udhëtojë në Pukë. Me ta do të bashkohet edhe serbi Ognjen Sinik. Sa për merkaton, ajo ende nuk ka mbaruar.
Futbollistët
Bardheblutë duket se e kanë marrë me humor lajmin e zhvillimit të fazës përgatitore në Pukë. Edhe sepse në skuadër dihej fakti që këtë herë do të zgjidhej një vend brenda territorit shqiptar. Megjithatë, kjo nuk i shqetëson shumë. Me rëndësi për lojtarët është që të shmangin temperaturat e larta gjatë stërvitjes. Në ekip tani po mendojnë për kampionatin e ardhshëm dhe të gjithë kërkojnë që të përgatiten për të formuar një skuadër pretendente për titullin kampion.