E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelozia, vret të shoqen dhe vajzën



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Nga xhelozia për të shoqen vret nënë e bijë. Një 48-vjeçar është autor i krimit të dyfishtë në një familje të fshatit Samrish i Ri, në komunën Dajç të Shkodrës. Sherri i nisur mëngjesin e djeshëm mes burrë e grua solli brenda pak minutash tragjedinë. Rreth 2 orë pas ngjarjes, autori Pjetër Pjolli njoftoi djemtë e tij që ndodheshin në Itali për çfarë kishte bërë dhe më pas ka lajmëruar policinë. Autori u ka dalë para me duart lart, duke u treguar uniformave blu që dy viktima ndodheshin në dhomën e gjumit.
Krimi
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 05:30 minuta të mëngjesit të së shtunës në fshatin Samrish të Ri të Komunës Dajç. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Shkodrës mësohet se kryefamiljari Pjetër Pjolli, pas një grindjeje për motive të dobëta, në orët e para të mëngjesit ka qëlluar me nga një plumb pistolete bashkëshorten Nine Pjolli, 40 vjeç dhe vajzën e tij Kristina Pjolli, 18 vjeç. Këto të fundit për shkak të plagëve të marra kanë humbur jetën në vend. Pas këtij veprimi 48-vjeçari Pjolli ka pritur gjersa ka zbardhur drita dhe fillimisht u ka telefonuar djemve të tij që ndodhen prej 3 vitesh në Itali. Atyre u ka treguar për vrasjen e dyfishtë. Më vonë ka qenë ai që i ka telefonuar numrit 129 të sallës operative të policisë. “Ejani se kam vrarë gruan dhe vajzën”, ka thënë ai. Edhe pse një telefonatë e tillë dukej pak e besueshme, policët janë nisur me shpejtësi në drejtim të fshatit Samrish i Ri. Sapo policia ka mbërritur në shtëpinë e Pjetrit ai ka dalë me duart lart nga dera e shtëpisë. “Unë jam ai që kam vrarë gruan dhe vajzën. I keni në dhomë të gjumit”, ka përsëritur ai, duke u shtrirë duart policëve për t’i prangosur. Me të hyrë brenda në dhomën e gjumit, policët janë tmerruar nga pamja që kishte aty. Trupat e nënë e bijë gjendeshin të shtrira përtokë, te këmbët e shtretërve, mes një pellgu të stërmadh gjaku.
Shkaqet
Në dëshminë e tij në polici Pjetri mësohet të ketë thënë se gruan e ka vrarë nga xhelozia, ndërsa vajza humbi jetën pas shkrehjes së pavullnetshme të armës. Nga hetimet paraprake, nga marrja në pyetje e të afërmve të viktimës, si dhe nga dëshmia e parë që autori i kësaj vrasje të dyfishtë ka dhënë menjëherë pas ndalimit, mendohet që mes Pjetrit dhe bashkëshortes Nine të ketë filluar një grindje për motive të dobëta, pikërisht për shkak të xhelozisë. Pasi është kthyer vonë në shtëpi Pjetri ka filluar të zihet me gruan dhe ta akuzojë atë për tradhti. Kjo e fundit nuk i ka pranuar akuzat e bashkëshortit dhe e ka kundërshtuar. Dyshohet se dhe nën efektin e alkoolit, autori të ketë nxjerrë pistoletën duke qëlluar në drejtim të bashkëshortes. Krismat kanë zgjuar të trembur vajzën e tyre, Kristinën, e cila po flinte në të njëjtën dhomë me ta. Ajo mendohet se është çuar dhe ka tentuar t’i heqë armën nga dora të atit, por ai e ka qëlluar dhe atë. Ndonëse ky fakt nuk pranohet nga babai i 18-vjeçares, hetimet e mëtejshme do të saktësojnë dhe rrethanat. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja, por viktimat ishin qëlluar me nga një plumb në kokë.

Mblidhen në shtëpi të afërmit e Nine Pjollit
Liza Leka: Motra ime lodhej për të siguruar bukën e gojës

Në banesën ku ndodhi tragjedia, paraditen e djeshme shikoje të afërm e fqinj të familjes Pjolli, të cilët punonin për të larë gjakun e shumtë që kishte mbuluar pjesën më të madhe të dhomës së gjumit si dhe teshat e spërkatura me gjak. Thuajse të gjithë ishin të afërm të gruas së viktimës. Sipas dëshmisë që jep për gazetën Liza Leka, motra dhe tezja e viktimave, autori Pjetër Pjolla ishte me origjinë nga Dukagjini. Ai erdhi për të punuar në zonën e Dajçit pas tërmetit të vitit 1979. “Këtu ai u njoh dhe më pas u martua me motrën time, Ninen. Nga kjo martesë ata kishin 3 fëmijë, dy djem të cilët sot jetojnë në Itali dhe nuk kanë ardhur në Shqipëri prej 3 vitesh, si dhe Kristinën. Familja prej kohësh përballej me një gjendje ekonomike të mjerueshme. Madje Pjetri nuk punonte fare, ai vetëm sillej nëpër fshat dhe pinte vazhdimisht. Kristina sapo kishte mbaruar shkollën 8-vjeçare nuk e lanë të vazhdonte të mesmen, por ajo merrej vetëm me punët e shtëpisë si dhe me pak kafshë e shpendë që kishin në shtëpi. Ndërsa motra ime, përveç punëve të shtëpisë shkonte shtëpi më shtëpi për të bërë ndonjë punë e për të fituar ndonjë lek”, tregon Liza. Vështirësitë ekonomike që haste familja Pjolli dhe fakti se e zonja e shtëpisë punonte për familjet e tjera ka shkaktuar grindjet e shpeshta mes çiftit. “Ne, duke e ditur natyrën e Pjetrit e porositnim Ninën që t’ia lëshonte rrugën se e kishte burrë e s’kishte çfarë të bënte. Askujt nuk ia merrte mendja se puna do të arrinte deri këtu. E sidomos me vra vajzën që ka qenë një njeri i zotit siç thuhet: e urtë, e shtruar e punëtore, që s’i ndihej zëri i gojës. Por një njeri që vret vajzën e tij, nuk ke ca pret më prej tij”, tregon e pikëlluar tezja e motra e viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›