“Juristi” në gjyq për mashtrim
Trazhgim Sokolaj
Një ish-jurist i Kuvendit të Shqipërisë dërgohet i pandehur në gjykatë nga Prokuroria e Tiranës, me akuzën se i ka marrë 10 mijë euro një të akuzuari për vrasje me premtimin për ulje dënimi. Prokuroria e Tiranës pohon se ka përfunduar hetimet ndaj shtetasit Albert Xhuti, ish-jurist i Kuvendit të Shqipërisë, i akuzuar se ka marrë ryshfet nga shtetasi i dënuar për vrasje Iljaz Bega. Ky i fundit ishte dënuar me 25 vjet burg në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Gjykatën e Apelit, ndërsa në vitin 2009 dosja e tij ka shkuar për vendim përfundimtar në Gjykatën e Lartë për akuzën e vrasjes. Por ndërkohë që Gjykata e Lartë e kishte vendosur që në mars 2009 të linte në fuqi dënimin me 25 vjet burg për shtetasin Iljaz Bega, sipas prokurorisë, i akuzuari për mashtrim Albert Xhuti, 62 vjeç, ka hyrë në trataviva me të dënuarin për ti ulur dënimin. I akuzuari për vrasje nuk kishte marrë vesh për lënien e dënimit në fuqi në Gjykatën e Lartë pasi vendimi gjyqësor nuk ishte zbardhur dhe nuk u ishte dorëzuar palëve. Për rrjedhojë, i dënuari ka rënë pre e mashtrimit të ish-juristit të Kuvendit. Ky i fundit mësohet se ka shkuar dy herë në burg dhe ka takuar të dënuarin Iljaz Bega, i cili në fund është bindur dhe ka paguar 10 mijë euro. Shuma është dorëzuar në dy data të ndryshme në të cilat të afërmit e të dënuarit, sipas Prokurorisë, kanë paguar nga 5 mijë euro në secilin takim me të akuzuarin Albert Xhuti. Pasi kanë dhënë shumën, familjarët e të dënuarit dhe vetë i burgosuri kanë pritur realizimin e premtimit për ulje dënimi në Gjykatën e Lartë, ku në fakt vendimi ishte dhënë me kohë. Në muajin korrik 2009, i akuzuari Albert Xhuti kishte marrë paratë ndërkohë që gjykata kishte vendosur në mars 2009. Iljaz Bega ishte shpallur fajtor e dënuar me 25 vjet burg për një vrasje të ndodhur në Laprakë ku kishte ekzekutuar me armë dy persona. Pas ngjarjes së ndodhur për një konflikt pronësie, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli e dënuan 71-vjeçarin Iljaz Bega me 25 vjet burg ndërsa e njëjta masë dënimi u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.