FBI, gjurmët e gishtave zbuluan Almir Rrapon
TIRANE – Ish-punonjësi i Ministrisë së Jashtme i arrestuar në Tiranë më 2 korrik, gjatë aplikimit për vizë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, është zbuluar nga gjurmët e gishtave në skedën e kërkimit të FBI (Byroja Federale Amerikane e Hetimit). Lajmi është bërë i ditur nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, të cilat thanë se në momentin e paraqitjes në Ambasadën amerikane në Tiranë, për të aplikuar për vizë, Almir Rrapo është verifikuar normalisht si të gjithë qytetarët e tjerë. Por gjatë këtyre verifikimeve, edhe pse me emrin e tij ende nuk ishte bërë ndonjë lidhje, për urdhër arrestin në SHBA, gjurmët e gishtave e kanë tradhtuar ish-punonjësin e Ministrisë së Jashtme. Fillimisht ai ka rezultuar në skedat e personave në kërkim nga Byroja Federale Amerikane e Hetimeve. Procedura për vizën është anuluar ndërkohë që kanë nisur verifikimet e tjera si dhe është njoftuar policia shqiptare. Nga verifikimet ka rezultuar se Almir Rrapo akuzohej në SHBA, për trafik droge, rrëmbim me qëllime shantazhi dhe armëmbajtje pa leje. Sipas akt-akuzës së mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Almir Rrapo është akuzuar nga autoritetet amerikane se ka marrë pjesë në rrëmbimin e një personi si dhe në një episod trafikimi droge në masën e 100 kilogramëve kanabis sativa. Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi mbajtjen në qeli të Almir Rrapos për 60 ditë deri në përfundim të procedurave të ekstradimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas të dhënave të mbërritura në Tiranë nga FBI, ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme nuk është shpallur ende fajtor në SHBA por vetëm hetohet për tri akuza. Vetë Almir Rrapo dhe avokati i tij i kanë mohuar akuzat.