PS ndez “motorët” elektoralë nga mali i Dajtit
Aristir Lumezi
Miratimi i strategjisë elektorale të detajuar nga ana e kryesisë socialiste ka ndezur motorët elektoralë të selisë rozë. Materiali i paraqitur nga Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral që mori miratimin e kryesisë socialiste, do të kërkojë dhe miratimin e Asamblesë Kombëtare, një proces formal për të nisur të zbatohet në terren. Rama ka mbledhur kryesinë në zonën e malit të Dajtit, në një vend të izoluar, në lokalet luksoze që ndodhen përreth. Pak përpara përfundimit të mbledhjes, zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, ka dhënë në vija të përgjithshme vendimet e kryesisë së PS-së, duke bërë të ditur se programi politik i saj do të hartohet në ditët e ardhshme. Në thelb të kësaj strategjie, PS-ja mund të konsiderohet që sot një parti elektorale, ku e gjithë pesha dhe puna e saj përqendrohet në fushatat elektorale me qëllim maksimalizimin e rezultatit. Sipas një ndarje hierarkike, duke nisur që nga kryesia e deri tek anëtari i thjeshtë i saj, të gjithë punojnë në funksion të fitores së zgjedhjeve të 2009-ës, ndërkohë që kryetari socialist do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me elektoratin përmes fazës së dytë të dialogut me Shqipërinë.
Ristrukturimi
Pas ndryshimit të sistemit zgjedhor, nga ai një emëror në atë proporcional rajonal, u desh një strukturim i ri i të gjitha hallkave të organizimit të një fushate zgjedhore, ku pesha kalon nga kandidati për deputet në një zonë, te strukturat e partisë në të gjithë qarkun. Për këtë, çdo anëtar kryesie do të marrë detyrën e "komisarit politik", ose kujdestarit politik, siç dhe cilësohet në këtë udhëzues, ku bashkë me sekretarin rajonal socialist, i cili do të merret direkt me çështjet organizative të fushatës, do të jenë dy shtyllat mbi të cilat do të vendoset dhe nga do drejtohet e gjithë fushata deri ditën e votimit. Nën këta dy persona, të cilët kanë marrë mandatin nga kryesia socialiste, ndodhen një numër i madh koordinatorësh në nivel rrethi, të cilët do bëjnë lidhjet mes dy drejtuesve të fushatës dhe të zgjedhurve socialistë të degëve në nivel komune apo bashkie, e deri tek organizatat socialiste. Sekretari rajonal dhe kujdestari i qarkut do të bashkëpunojnë ngushtë me koordinatorin e komunikimit me kryetarët e PS së bashkive apo komunave, koordinatorin e organizimit elektoral, koordinatorin për bordet e dialogut qytetar, koordinatorin për organizimin e vullnetarëve, koordinatorin për komunikimin mediatik, koordinatorin e organizimit të personave me influencë dhe me përvojë elektorale në komunë dhe bashki.
vendimet
Sekretariati i PS dhe anëtarët e Kryesisë së PS do të drejtojnë fushatën elektorale
Programi i qeverisës, që do të finalizohet në javët në vijim, më pas do të diskutohet gjerësisht me grupet e interesit dhe publikun
Kryesia e PS-së i ofroi mbështetje të plotë grupit parlamentar dhe përfaqësuesve të PS-së në Kuvend, për të përfunduar me sukses Reformën Zgjedhore brenda tetorit