E Diel, 1 Nëntor 2026

Madhi: S’ka datë konkrete zgjedhjesh pa miratuar Kodin Zgjedhor

Data e zgjedhjeve do të përcaktohet kur të miratohet përfundimisht Kodi Zgjedhor si dhe kur Presidenti i vendit të dekretojë një datë të tillë. Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje për gazetën republikani Arian Madhi, anëtar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili tha se gjithçka do të përcaktohet nga Kodi që do të miratohet. Madhi hodhi poshtë zërat e një date të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve. “Duhet të presim miratimin e Kodit Zgjedhor nga Komisioni dhe më pas është Presidenti ai që dekreton datën e mbajtjes së zgjedhjeve”, - tha Madhi dje për gazetën. Më tej ai shtoi se Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ka miratuar periudhat zgjedhore si dhe data të tjera. Gjithsesi, Madhi shtoi se forma përfundimtare e përmbajtjes së Kodit Zgjedhor do të njihet kur të miratohet si i tillë nga Kuvendi. “Aktualisht nuk ka gjë konkrete sepse Komisioni ka ende punë dhe më pas do të kalojë në Kuvend për miratim”, - shtoi Arian Madhi. Ndërkaq, Komisioni i Reformës Zgjedhore është ende pezull për shkak të pushimit të sesionit parlamentar. Ai do të rinisë nga puna në muajin shtator nga ku do të përcaktohen të gjitha hollësitë e ligjit elektoral nëpërmjet konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Aktualisht ky komision ka miratuar me konsensus afatet dhe periudhat zgjedhore. “Ne kemi përcaktuar dy periudhat zgjedhore. Periudha e parë do të jetë nga data 15 mars deri në 30 qershor dhe periudha e dytë nga 15 shtatori deri në 30 nëntor. Gjithmonë zgjedhjet lokale ose të përgjithshme do të mbahen vetëm midis këtyre datave”, - është shprehur Madhi për këtë çështje. Komisioni ka përcaktuar në nenin 8 të Kodit të ri Zgjedhor se Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 87 të Kushtetutës, e nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më vonë se 24 orë pas shpërndarjes së Kuvendit. Në Komisionin e Reformës Zgjedhore janë prekur edhe listat e votuesve. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmali, ka deklaruar se do të ketë konsultime në lidhje se kur këto lista do të jenë gati. Nga ana tjetër, qeveria ka premtuar se zgjedhjet e vitit 2009 do të kenë të gjitha standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar për të garantuar zgjedhje tërësisht të lira. Qeveria ka premtuar regjistër elektronik si dhe karta identiteti për të garantuar siguri maksimale në zgjedhje.

LSI-ja i cilëson reformat të vonuara

Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, u shpreh dje se reformat që po ndërmerren nga ana e qeverisë janë të vonuara. Ai tha se sipas raporteve ndërkombëtare, vendi po varfërohet. “Jemi sot përpara jush për të shprehur shqetësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me dështimin e gjithanshëm të reformave dhe hapat mbrapa që po bën vendi nën këtë qeverisje demagogjike dhe të papërgjegjshme. Mungesa e reformave thelbësore e të rëndësishme në të gjitha fushat çdo ditë e më tepër në mënyrë serioze po cenon dukshëm aspektet sociale, duke varfëruar gjithnjë dhe më shumë familjet shqiptare. Një ekonomi që prodhon një performancë negative në të gjithë treguesit e saj, bazuar dhe mbi raportet më të fundit të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, FMN dhe BB, me progres të dukshëm dhe të ndjeshëm të korrupsionit, po vë në rrezik gjithnjë dhe më tepër të ardhmen evropiane të shqiptarëve”, - tha Axhemi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›