Bakalli braktis Ngjelën për Ndokën e Shehin
Deputeti Gilman Bakalli, një ndër themeluesit e partisë të drejtuar nga deputeti Spartak Ngjela, ka braktisur këtë të fundit për t’iu bashkangjitur “Polit të lirisë”, që drejtohet nga Ndoka dhe Shehi. Në një dalje publike, ku koalicioni i drejtuar nga Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi zyrtarizuan një bord për politika parazgjedhore, Bakalli tha se është zëdhënës politik i këtij bordi dhe pjesë e këtij koalicioni. Në partinë e Ngjelës, Bakalli ishte numri dy i saj, por preferoi të shkojë në “Polin e lirisë”, siç e pranoi edhe vetë, për të rritur shansin për të hyrë në Kuvend. “Jam sot këtu si përfaqësues i një alternative të djathtë, për të deklaruar përfshirjen time në koalicionin e forcave të djathta, “Polit të lirisë'. E them këtë, se jam plotësisht i bindur se vetëm të bashkuar mund të risim shanset që në Parlamentin e ardhshëm shqiptar të ketë përfaqësues të vërtetë të eksponentëve të djathtë”, - deklaroi Bakalli. Gjithsesi, ai i bëri një ftesë publike Ngjelës t’i bashkëngjitet këtij grupimi. “Shpresoj dhe uroj që dhe bashkëpunëtori im, Spartak Ngjela, përtej të gjitha rezervave të tij, ta kuptojë rëndësinë që ka në këtë moment bashkimi i të gjitha forcave të djathta”, - tha më tej Bakalli. Ndërkaq, deputeti Ngjela dhe kryetari i partisë “Ligj dhe drejtësi”, nuk ka dhënë një prononcim publik në lidhje me largimin e Bakallit. Ngjela deklaroi pak kohë më parë se nuk do të ishte pjesë e këtij koalicioni, pasi sipas tij, problemi ishte te lidershipi. Duke mos e fshehur dëshirën për të drejtuar lidershipin e këtij koalicioni, Ngjela tha më tej se nuk iu ishin përputhur pikëpamjet politike.
“Poli i lirisë” zyrtarizoi dje krijimin e Bordit të Orientimeve Strategjike, me inicialet BOS, i cili ka si synim të hartojë politika qeverisëse. Në këtë bord marrin pjesë Apollon Baçe, Albert Kariqi, Aleksandër Bushati, Lazer Stani etj. Në daljen publike, Bakalli tha se do të hartohet një program alternativ. “Programi ynë do të jetë garanci për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, për pavarësinë e institucioneve kushtetuese, për një sistem drejtësie që jep drejtësi për qytetarët, e pandikuar politikisht, për një administratë publike të përbërë nga profesionistë në shërbim të qytetarëve, për një ambient ekologjikisht të pastër që garanton standard evropian për jetën e qytetarëve”, - tha ai.
PD zyrtarizon komisionin hetimor për Edi Ramën
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zyrtarizoi kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të hetojë veprimtarinë e kryetarit të bashkisë, Edi Rama, për sa i përket procedurës së dhënies së lejeve të ndërtimit. Deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje se ka nisur mbledhja e firmave të nevojshme për t’u çuar në seancë, në mënyrë që komisioni të nisë menjëherë punën. “Korrupsioni është aq i dukshëm, aq evident, sa tre javë mjaftojnë për ta nxjerrë Edi Ramën lakuriq përpara shqiptarëve dhe politikën e tij të re. Ne kemi akuzuar zotin Fatos Nano se bëri disa prokurime të drejtpërdrejta dhe e quanim atë si një nga rastet më klasike të korrupsionit. Ky zotëria ka kaluar çdo masë”, - tha Xhaferri, i cili shtoi se “afati prej pak javësh që i ka mbetur Kuvendit, është i mjaftueshëm që të nxjerrë një raport nga ky komision”. I pyetur se nga kush do të drejtohet, Xhaferri tha se “nga kushdo, edhe nga unë po të më kërkohej”.