E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e letërnjoftimeve, ndëshkime për neglizhentët



Kryeministri Sali Berisha ribëri dje publike edhe një herë skemën e qeverisë për subvencionin dhe ndëshkimet për sa u përket letërnjoftimeve të reja. Berisha tha se të gjitha shtresat në nevojë të përfshira në skemë, do të marrin më 1 maj të gjithë shumën përkatëse. Por do të ketë një afat, pasi pas fundit të majit, çdo pensionist nuk do të marrë pensionin, çdo student nuk do të hyjë në provime dhe askush nuk do të përfitojë shërbim publik. Në lidhje me studentët, Kryeministri tha se kuponët do të blihen nga fakultetet dhe studentët duhet të paguajnë për to çmimin 200 lekë. Për pensionistët e fshatit dhe ata me pensione minimale në qytet, qeveria, informoi Kryeministri, do të vendosë në datën e pensionit të parë të muajit maj, shumën e përcaktuar prej 1 mijë lekësh dhe ata do të paguajnë vetëm 200 lekë për letërnjoftimin. “Në rast se paratë merren dhe nuk blihet letërnjoftimi, atëherë nuk do t’u jepet pensioni tjetër”, - tha Berisha. Ai e konsideroi si një detyrë dhe standard për qytetarët që të pajisen me dokumentet e reja në mënyrë që vendi të përfitojë edhe liberalizimin e vizave. “Dokumentin e identitetit duhet ta ketë çdo popull, nuk është standard shqiptar. Nga 27 vende të BE-së, vetëm një prej tyre nuk e ka, 26 vendet e tjera e kanë. Në qoftë se ne kërkojmë pajisjen me dokumentin e identitetit, kjo është e detyrueshme. Por qytetarët kanë shansin që, meqenëse janë votimet, ta marrin atë me 1/6 e çmimit”, - tha ai. Për sa i përket opozitës, Berisha tha se kjo është një kërkesë e plotësuar, por që sipas tij, ende po qortohet. “Më vjen mirë që opozita e gjen të plotësuar këtë kërkesë të saj. Pavarësisht deklaratave politike, të cilat në vend që të përshëndesin këtë vendim që e kërkonin, tani e qortojnë. Unë kam kënaqësi që plotësohet edhe një kërkesë e opozitës”, - u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›