Socialistët braktisin konsensusin për Gjykatën Administrative
Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve, projektligji për krijimin e gjykatave administrative është anuluar për shkak se deputetët socialistë nuk ishin të pranishëm në mblrdhje. Ndonëse PD-ja dha konsensusin sipas kushteve të PS-së, deputetët e kësaj të fundit kanë neglizhuar diskutimin e mëtejshëm të projektligjit. Shqyrtimi i draftit u pezullua për mungesë kuorumi, ndonëse ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, hartuesi i ligjit 7 muaj më parë, ripërsëriti vullnetin për të pranuar të gjithë amendimet e socialistëve. Projektligji miratohet me 3/5 e votave në kuvend, ndërkohë që palët vazhdojnë të përplasen për nenin 4, që ka të bëjë me seksionet dhe drejtimin e gjykatave administrative në rrethe. Komisioni i Ligjeve miratoi dje kandidaturën e Mirela Fanës si anëtare të Gjykatës së Lartë dhe ndryshimin e emrit të fshatit Liqenas të Korçës në Pustrik, një iniciativë e deputetit Edmond Spaho.