E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi, Rama shmang strukturat e partisë



Kreu i PS-së, Edi Rama, ka mbivlerësuar rolin e kryetarit në funksionimin e një partie politike, duke shmangur për të disatën herë strukturat drejtuese të partisë që drejton. Kjo ka ndodhur dhe me një çështje me shumë rëndësi, siç është programi politik i saj për zgjedhjet e ardhshme, me të cilin PS do të tentojë të thithë besimin e votuesve. Para dy ditësh, Rama bashkë me katër sekretarë të rinj të partisë, të besuarit e tij, bëri publik këtë program dhe më pas nisi një tur prezantimi nëpër rrethe. Por ndërkohë që baza e Partisë Socialiste po njihet me përmbajtjen e këtij programi qeverisës, siç e quan Rama, ai nuk përbën të vërtetë një dokument, me anë të të cilit të prezantohet kjo parti në zgjedhje. Kjo për faktin e thjeshtë, sepse nuk ka kaluar testin e kryesisë dhe Asamblesë së Përgjithshme, dy organet më të larta vendimmarrëse mes kongreseve. Si duket, Ramës nuk i është dukur e rëndësishme që të kishte një dokument me firmë të strukturave partiake, firmë që nuk pritej të ishte negative, për shkak se ai kontrollon shumicën dërrmuese të tyre, por ai as që ka dashur ndonjë kritikë të vogël nga ndonjë kritizer i guximshëm. Me këtë hap të ndërmarrë shkelet statuti i partisë, i cili presupozon që çdo dokument i rëndësishëm partiak të kalojë për diskutim dhe miratim në këto dy struktura. Aq më shumë të nevojshëm e ka këtë gjë një program politik për zgjedhjet parlamentare, ku vetëm njohja me të nga ana e më shumë se 100 anëtarëve të asamblesë është një gjë e domosdoshme. Por Rama e di çfarë mban programi, s’ka gjë se anëtarët e asamblesë, që shumica janë kryetarë të degëve të partisë në rrethe, nuk kanë në pronësi një kopje të këtij programi, e jo më të kenë mundësinë të japin një kritikë apo një mendim për ndryshimin e tij. I pyetur për këtë çështje, Ben Blushi, deputet i vjetër i kësaj partie, e pranoi që programi duhet të kalojë në hallkat partiake siç është kryesia dhe asambleja, por nga ana tjetër, tha që programi është i konsultuar me gjithë anëtarët e kryesisë.

Por ndërkohë që Rama nuk shqetësohet për kryesinë e partisë, ka shmangur nga meritat për këtë program dy njerëz që kanë punuar për të, ose më së paku kanë pasur funksione partiake posaçërisht për programin. Arben Malaj, ish-ministri i Financave dhe deputeti Andis Harasani, megjithëse janë njëri sekretar dhe tjetri koordinator për programin, nuk ishin në krah të kreut të partisë ditën e prezantimit të këtij dokumenti në publik. Ndërkohë krah tij ishin Ilir Beqja, Ervin Bushati, Ledi Shamku dhe Ylli Manjani. Prezantimi i programit me 4 të rinjtë e PS-së në krah e bën të qartë për votuesit se ata do të jenë njerëzit më të besuar të kreut të PS-së në zbatimin e tij programi. Ai mund të zgjidhte fare mirë të kishte në krah njerëz që kanë qenë në PS që nga viti 1991 apo të tjerë që kanë qenë ministra apo kryeministra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›