Ceka zyrtarizon bashkimin me Berishën e PD-në
Pas 18 vjetësh të ndarë, Neritan Ceka nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike, jo si pjesë e saj, por si një partner elektoral. Kryeministri, njëkohësisht kreu i PD-së, Sali Berisha, nënshkroi dje marrëveshjen për përfshirjen në koalicionin e djathtë të partisë së drejtuar nga Neritan Ceka, PAD. Në fillim të fjalës së tij, Berisha tha se ajo që nisi në vitin 1990, po vazhdon ende. “Atë çka mund ta shpreh në një frazë: bashkë e nisëm, bashkë po e vazhdojmë. Unë e konsideroj këtë një ditë shumë të rëndësishme, ku së bashku me zotin Ceka, për shkak të vlerave të mëdha programore që na bashkojnë, për shkak të trashëgimisë së pashlyer që ne kemi, në momentet më të rëndësishme të pluralizmit, të vizionit të përbashkët që ndajmë, ne firmosim këtë marrëveshje për të cilën Partia Demokratike ndjehet shumë e kënaqur, ndjehet vërtet shumë optimiste”, - tha Berisha për këtë bashkëpunim. Ai u shpreh optimist dhe e konsideroi këtë bashkëpunim si pjesë të fitores më 28 qershor. “Me këtë marrëveshje, këto dy parti vendosin të funksionojnë në një koalicion të plotë, të fitojnë zgjedhjet, të qeverisin dhe të jenë së bashku, të jenë një parti. Kjo është një formë koalicioni pothuajse e përsosur do ta quaja. Kam kënaqësi shumë që e arritëm këtë moment shumë të rëndësishëm për të dyja forcat politike. I garantoj të gjithë anëtarët e Aleancës Demokratike se në bashkëpunimin me ata, Partia Demokratike sheh një perspektivë reale, si të fitores, ashtu edhe të një qeverisjeje të mandatit të dytë plotësisht të suksesshme”, - shtoi Berisha. Nga ana e tij, Ceka tha se ky koalicion do të fitojë zgjedhjet, pasi sipas tij, këto katër vite kanë treguar qeverisjen më të mirë të vendit. “Kanë qenë 4 vite të menaxhimit më të mirë që ka pasur ndonjëherë ekonomia shqiptare, të ndërtimit të institucioneve demokratike më të qëndrueshme dhe të imazhit më të mirë që ka Shqipëria edhe në sferën ndërkombëtare”, - tha Ceka. Njëkohësisht dje është nënshkruar edhe marrëveshja me Partinë Bashkimi Liberal Demokrat, e drejtuar nga deputeti Arjan Starova. Berisha vlerësoi këtë marrëveshje. Aktualisht, janë katër parti, krahas PD-së, që janë përfshirë në koalicionin e djathtë. Kështu republikanët, agrarët, aleancistët dhe liberalët, janë bashkuar nën një koalicion. Ndërkohë pritet që në këtë koalicion të vijnë edhe rreth 4 ose 5 parti të tjera, si legalistët, ballistët etj.