E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël, taksa ulet deri në 20%



Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për taksat vendore, nga ku përcaktoi se bashkitë dhe komunat nuk mund të rrisin apo të ulin taksat e biznesit të vogël më shumë se 10 për qind. Ky nivel ka qenë 30 për qind dhe në rast se ka bashki që kanë rritur taksën prej 1.5 për qind me 30 për qind më shumë, do të duhet ta ulin atë. Kështu, bizneset e vogla që kanë pasur këtë barrë fiskale, do të kenë një ulje prej 10 për qind. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi si të domosdoshëm këtë vendim, në mënyrë që t’i jepet më shumë frymë biznesit të vogël, që ka punësuar rreth 200 mijë vetë. “Biznesi i vogël është për Shqipërinë sektori më i fuqishëm i ekonomisë. Pavarësisht se kontributi i tij në buxhetin publik është pakrahasimisht më i vogël se biznesi i madh, biznesi i vogël është gjeneratori i punësimit në vend. Në këtë biznes janë të punësuar minimalisht 180-200 mijë shqiptarë. Taksa e biznesit të vogël u transferua tërësisht, në përputhje me konceptin e decentralizimit, në bashki e komuna. Sot, ky biznes është vendosur në vështirësi, në disa qytete të vendit”, - u shpreh Kryeministri. Kreu i qeverisë, duke lexuar një mesazh në telefonin e tij të ardhur nga një qytetar me biznes të vogël, tha se tatimet do të ngrenë një Task-Forcë e do të shqyrtojë çdo ankesë të biznesit të vogël. “Organi tatimor qendror, - tha Berisha, - me një Task-Forcë të veçantë, të shqyrtojë me përparësi çdo ankesë të biznesit të vogël. Qeveria do të ketë tolerancë zero ndaj abuzimit me të. Ashtu siç po bën këtë ligj, qeveria mund të bëjë edhe ligje të tjera për ta mbrojtur atë”. Projektligji i qeverisë prek edhe tarifat e tjera që ka vendosur pushteti lokal. “Tarifat vendosen dhe administrohen në përputhje me ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Me përjashtim të rasteve të përcaktuara ndryshe në këtë ligj ose në ligje të tjera, që rregullojnë funksionet e tarifat e lidhura me to, këshilli bashkiak dhe ai komunal vendosin për llojet e tarifave, nivelin, rregullat bazë për administrimin dhe mbledhjen e tyre, si dhe përcaktojnë nëse tarifat do të mblidhen nga vetë strukturat bashkiake ose komunale apo nga një agjent, por në asnjë rast shuma e tarifave vendore, të aplikueshme për tatimpaguesit e biznesit të vogël, nuk duhet të kalojë 10 për qind të nivelit tregues të taksës, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të biznesit të vogël”, -thuhet në projektligj. Duke garantuar pushtetin vendor se qeveria është e gatshme ta ndihmojë, Kryeministri tha se nuk mund të pranohet që bashkitë të rrisin çdo vit taksën e pastrimit apo gjelbërimit. “Atëherë, - u shpreh Kryeministri, - është e drejtë të pyesim se kur ka qenë normale dhe kur abuzive, cili nivel është normal dhe cili abuziv apo në qoftë se pas tri viteve janë katërfishuar, lind pyetja çfarë ndodhi që ato të katërfishohen”. Ai tha më tej se është e papranueshme që të sulmohet rritja e pagave, pasi sipas tij, 800 mijë familje shqiptare do të kenë të blejnë më shumë dhe kjo do të ndikojë pozitivisht tek biznesi i vogël. “Rritja e pagave dhe pensioneve më 1 maj është mbrojtja më e mirë që i bëhet biznesit të vogël, sepse është një rritje shumë e ndjeshme e fuqisë blerëse e, së paku, 800 mijë familjeve shqiptare. Është e pabesueshme dhe e pakonceptueshme që ky akt sulmohet, në vend që të përgëzohet. Duke sulmuar këtë akt, veçse dëshmohet se alternativë e vetme është mjerimi dhe varfëria”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›