KQZ-ja miraton numrin e mandateve të deputetëve për çdo qark
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje në parim projektvendimin “Për përcaktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore”, për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009.
Por me kërkesë të përfaqësuesve ligjorë të partive politike, Komisioni vendosi të shtyjë për të enjten shqyrtimin në tërësi të këtij projektvendimi, pasi, sipas tyre, nuk janë ende gati listat paraprake të shtetasve. Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, kërkoi t'i jepet kohë më e madhe diskutimi këtij projektvendimi për arsye se nuk janë gati listat paraprake të shtetasve" duke gjetur edhe mbështetjen e anëtarit të KQZ-së, Klement Zguri, i propozuar nga Partia Republikane, i cili kërkoi një transparencë me të madhe nga KQZ-ja në vendimet që do të marrë. Pasi të miratohet nga KQZ-ja numri i mandateve të deputetëve për secilën zonë zgjedhore, do t’i paraqitet Kuvendit, i cili, në bazë të Kodit Zgjedhor, i miraton me procedurë të përshpejtuar. KQZ-ja miratoi në parim gjatë mbledhjes së djeshme numrin e mandateve të deputetëve për çdo qark. Për këtë u bazua në numrin total të shtetasve që është 4.295.977, i cili është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30.686, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30.686 dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim. Pas këtij veprimi ngelen pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të Nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm.
Mandatet e deputetëve për çdo qark
Nr. Qarku Popullsia Mandate gjithsej
1 Berat 235,726 8
2 Dibër 187,128 6
3 Durrës 404,110 13
4 Elbasan 426,682 14
5 Fier 488,181 16
6 Gjirokastër 163,414 5
7 Korçë 356,208 12
8 Kukës 116,300 4
9 Lezhë 214,147 7
10 Shkodër 338,598 11
11 Tiranë 992,360 32
12 Vlorë 373,123 12
10 Shkurt 2009