Bakojanis: Pronat çame, në dorë të drejtësisë
Megjithëse në Shqipëri ka ardhur si kryetare e OSBE-së, ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, nuk ka mundur t‘u shpëtojë pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet mes dy vendeve, çështjes së pronave çame, apo liberalizmit të vizave. Në lidhje me marrëdhëniet midis dy vendeve, Bakojanis theksoi se ato janë të shkëlqyera dhe Greqia do të japë kontributin e saj për integrimin e Shqipërisë në BE dhe brenda pak ditëve, Parlamenti grek do të ratifikojë edhe protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sa për çështjen e pronave çame, Bakojanis u shpreh se shteti grek funksionon sipas ligjeve dhe pronat çame janë në dorë të drejtësisë. Ligji i lustracionit ishte një tjetër pikë që ka marrë vëmendjen e ministres së Jashtme, e cila i ka shprehur qeverisë shqiptare rezervat e Greqisë për këtë ligj, duke kërkuar që të respektohen të drejtat e njeriut. Ndaj Athina do ta monitorojë me seriozitet zbatimin e këtij ligji, shtoi ministrja e Jashtme. Duke iu përgjigjur pyetjes së mediave se a e mbështet Greqia procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët si dhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, Bakojanis theksoi se "është një pyetje shumë e thjeshtë, përgjigjja është po, po për të dyja pyetjet. Po, ne mbështesim procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë, i cili është një proces shumë i rëndësishëm për rritjen e kontakteve ndërnjerëzore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për pyetjen e dytë, po, ne mbështesim perspektivën evropiane të Shqipërisë, ne e kemi bërë të qartë në Samitin e Selanikut se, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe sigurisht që ne e mbështesim Shqipërinë në këtë proces".