Rama "ankohet" për infrastrukturën zgjedhore
Kryetari i Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, priti dje në një takim shefen e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, në cilësinë e presidentes së radhës së OSBE-së. Gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës u bisedua për disa çështje të rëndësishme në vend, ku procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri zuri vendin kryesor. Presidentja e radhës së OSBE-së, Dora Bakojanis, i shprehu kryetarit Edi Rama interesimin maksimal të partnerëve, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Njëkohësisht, ajo bëri të ditur angazhimin për dërgimin e një numri të rëndësishëm vëzhguesish të ODIHR-it gjatë fazës përgatitore, por edhe në ditën e 28 qershorit. Nga ana e tij, Rama foli në lidhje me infrastrukturën zgjedhore, ku shprehu nevojën e pajisjes me kartat e identitetit, për ata persona që nuk disponojnë pasaportë, duke e cilësuar këtë si një propozim të Partisë Socialiste, që është marrë në konsideratë nga qeveria, "de jure", por që "de facto" mbetet ende pa trajtuar si e sa duhet. Po ashtu, Rama preku problemin e regjistrit e të listave, që duhej të kishin përfunduar dhe ende janë në një proces problematik. Ligji i lustracionit dhe implikimet e tij, në lidhje me pavarësinë e sistemit gjyqësor, ishte një tjetër pikë e diskutimit, për të cilën zonja Bakojanis theksoi shqetësimin dhe angazhimin e partnerëve, për dërgimin në Shqipëri të ekspertëve të posaçëm që do të vrojtojnë nga afër ecurinë e këtij ligji. Nga ana e tij, Rama nënvizoi aspiratën dhe vullnetin e opozitës që ai udhëheq, për një fizionomi evropiane në fjalë e veprim, me synimin e vetëm dhënien e një kontributi sa më pozitiv, në funksion të interesave të vendit, që më 28 qershor duhet të kalojë medoemos me sukses, një provë maturie demokratike. Marrëdhëniet mes Ramës dhe Bakojanis janë konsoliduar edhe më herët, kur ministrja aktuale e Punëve të Jashtme të Greqisë ishte në detyrën e kryebashkiakes së Athinës.