E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakojanis e Samaras drejt balotazhit

 

Konservatorët grekë votuan dje për të zgjedhur liderin e ri të partisë opozitare “Demokracia e Re” të drejtuar deri më tani nga Kostas Karamanlis, i cili dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 4 tetorit. Në garë janë tre figura të forta të politikës së konservatorëve: ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, ish-ministri i Kulturës, Antonis Samaras dhe kryebashkiaku i Selanikut, Panajotis Psomijadis. Deri të premten ishte në avantazh ish-ministri Samaras, por të shtunën Bakojanis iu afrua atij në sondazhe duke e lënë vetëm 0,5 pikë në avantazh (41,5 me 41 për qind). Për herë të parë në garë janë ftuar të gjithë anëtarët e partisë “Demokracia e re” edhe nëse ata janë anëtarësuar dje në parti. Për fitimin e këtij posti nevojitet të paktën 50 për qind e votave për secilin kandidat. Sipas gjasave asnjë kandidat nuk do të arrijë dot të kapë 50 përqindëshin, duke çuar konservatorët drejt balotazhit të parashikuar për më 5 dhjetor. Në raundin e dytë pritet të përballen Bakojanis dhe Samaras, duke i lënë një rol mjaft të rëndësishëm Psomijadisit i cili do t’u drejtohet zgjedhësve të tij për të mbështetur njërin prej dy kandidatëve të balotazhit. Mëngjesin e djeshëm ai refuzoi të votojë dhe e shtyu për pasdite, pasi lista e emrave të votuesve ishte e shkruar me dorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›