Berat, 600 të sapolindurve nuk iu jepet shpërblimi 5 mijë lekësh
BERAT - Prej një viti, 600 bebet e lindura në Berat nuk kanë marrë shpërblimin prej 5 mijë lekësh. Në bazë të ligjit, për këto nëna të sapolindura duhej lëvruar një fond prej 3 milionë lekësh. Pas lindjes, nënat kanë çuar certifikatën e fëmijës në bashki, por më kot janë sorollatur për të marrë shpërblimin modest që iu takon me ligj. “Kemi trokitur disa herë nëpër dyert e kësaj bashkie, por nuk na kanë zgjidhur asgjë. Drejtuesit e bashkisë na kanë thënë se shkak për këtë është bërë mungesa e fondeve nga ministria përkatëse. Për shqetësimin e 600 nënave që presin prej një viti shpërblimin për bebet e tyre i është përgjigjur drejtoresha e financës pranë bashkisë, Luiza Baze. Ajo pohoi situatën, që sipas saj, ka ardhur për shkak të mungesës së fondeve. “Janë 600 gra që kanë një vit që kanë lindur dhe nuk kanë marrë shpërblimin përkatës sipas ligjit. Kjo gjendje është krijuar nga mungesa e fondit. Ne si bashki nuk disponojmë fonde të veçanta, për të shpërblyer këto nëna. Fondi që çelet nga Ministria e Financave kap shifrën prej 3 milionë lekësh”, u shpreh Baze. Tashmë 600 certifikata të papaguara presin që nga muaji shtator i vitit 2008. Burime nga bashkia bënë të ditur se për mosmarrjen e këtij shpërblimi ka ndikuar arka e shtetit i cila është bosh. Sipas drejtoreshës së Financës, Luiza Baze, bashkia këtë shqetësim ia ka bërë të ditur dhe Këshillit Bashkiak, që të merret me zgjidhjen e tij. Bashkia nuk mund të japë një afat të caktuar se kur do të zgjidhet kjo situatë, ndërkohë që nënat presin çdo ditë konfirmimin se kur ato do të mund ta marrin këtë shpërblim. d.xh