Ish-anëtari i SHIK dëshmon mbi urdhër-vrasjet politike
Një ish-anëtar i SHIK-ut të Kosovës, ka deklaruar dje para kamerave në Prishtinë, në lidhje me skandalin e vrasjeve politike të urdhëruara nga ‘anëtarë aktualë të qeverisë’ në Prishtinë, të cilat i ka të faktuara në një CD.
Nazim Bllaca, ka deklaruar se: “Nën urdhrat e SHIK-ut ka marrë pjesë në 17 aksione të vrasjes, plagosjes, rrahjes e shantazhit të personave të caktuar, të parë si kolaboracionistë të Serbisë, apo si rivalë politikë”. Të shtunën Bllaca ka dorëzuar CD-në e shumëpërfolur në Prokurorinë e Prishtinës. E gjithë zhurma për një skandal të mundshëm në politikën kosovare erdhi pas akuzave të ashpra nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, për përfshirje të disa deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës në krime politike. Bllaca ka përmendur para mediave edhe emrat e atyre që kanë dhënë urdhrat. “Epror kryesor në SHIK kam pasur Azem Sylën. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj. Është vështirë të vish këtu para Parlamentit dhe të flasësh si dëshmitar, mirëpo boll ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë. Unë jam penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999”, ka thënë Bllaca, duke mos përmendur emrin e personit që thotë ta ketë vrarë. Deputeti i LDD-së, Geci, që akuzoi kabinetin qeveritar dhe strukturat e PDK-së për urdhrat e dhëna “që të vritej Adem Salihaj, Agim Veliu dhe disa persona të tjerë”, ka shpërndarë dje CD-në me video-incizimin e dëshmitarit Bllaca për gazetarët. Vetë Bllaca, i cili kontaktoi me gazetarët në të dalë të Kuvendit të Kosovës, tha se krimet janë kryer pas periudhës së luftës. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, hodhi poshtë këto akuza dhe ftoi drejtësinë që të merret me rastin në fjalë. Azem Syla, i cili është përmendur nga Bllaca si epror i tij tha për RTK-në se: “Këto janë të pavërteta, shpifje dhe intriga të njerëzve të ligj”. Për sa i përket CD-së së shpërndarë për gazetarët nga deputetët Adem Salihaj dhe Gani Geci, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se policia nuk i komenton çështjet e subjekteve politike dhe të asnjë personi politik, duke kryer punën e saj në bazë të legjislacionit. Por nga ana tjetër, megjithëse ka pranuar se ka kryer vrasje, Bllaca ka shëtitur lirshëm në Prishtinë ndërsa policia e Kosovës nuk ka marrë ndonjë urdhër arresti për të. "Pala, të gjitha informacionet, dëshmitë i ka ofruar në Policinë dhe Prokurorinë e EULEX-it. Policia i ka filluar hetimet e saj. Policia është në kontakte me prokurorinë dhe janë organet e drejtësisë ato që vendosin a të lëshojnë ndonjë urdhër-arrest dhe atëherë policia e zbaton atë", tha Kelani. Ndërsa, zyrtarë të EULEX-it pranojnë se janë duke hetuar rastin.