E Diel, 1 Nëntor 2026

Bakojanis në Prishtinë: Jemi miq, por nuk ju njohim

 

Greqia nuk ka ndër mend të ndryshojë qëndrim rreth pavarësisë së Kosovës, të cilën e ka kundërshtuar si pak vende të tjera të Bashkimit Evropian. Pas vizitës në Beograd, ministrja greke e Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis, vizitoi dje Prishtinën, ku u konfirmoi autoriteteve, se qëndrimi rreth pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. “Kam ardhur si mike, si fqinje, si kryesuese e OSBE-së. Udhëhiqem nga dëshira për të ndihmuar njerëzit e Kosovës pavarësisht nga raca dhe nga besimi, për të realizuar ëndrrat e tyre për një të ardhme të sigurt dhe më të mirë brenda Evropës”, tha Bakojanis. Diplomatja greke ka vlerësuar se situata në Kosovë mbetet e brishtë dhe ka nevojë për vëmendjen e veçantë të bashkësisë ndërkombëtare. “Greqia mbetet e angazhuar në EULEX, KFOR dhe në mekanizmat tjerë që asistojnë në Kosovë”, ka konfirmuar Bakojanis gjatë vizitave të saj me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Të dy liderët u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve ballkanike. Ndërsa Bakojanis edhe pse ofroi mbështetjen dhe angazhimin aktiv të Greqisë në EULEX, KFOR dhe mekanizma të tjerë, sqaroi se qëndrimi i Athinës për pavarësinë mbetet i pandryshuar. “Secili vend e merr vendimin për njohje, bazuar në interesin e vet kombëtar dhe natyrisht duke marrë parasysh stabilitetin rajonal. Kjo nuk na ka ndalur në gjetjen e mënyrave për promovimin e kontakteve të ndërsjella, pavarësisht nga mungesa e njohjes legale”, tha Bakojanis. Sipas ministres greke, mbetet ende shumë për të bërë nga bashkësia ndërkombëtare, por akoma më shumë nga bashkësitë etnike në Kosovë pasi “iu takon atyre që të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët në të cilën respektohen parimet evropiane”. Nga ana e tij Presidenti Fatmir Sejdiu i vlerësoi angazhimet e Greqisë në raportet me Kosovën, ku u angazhua për thellimin e bashkëpunimit. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se raportet Prishtinë-Athinë janë të mira dhe të shumanshme, por për sa i përket vendimit për njohje, “secili vend e merr bazuar në interesat dhe momentet kur e vlerëson se një gjë e tillë duhet bërë”. Bakojanis tha se koha e luftërave në Ballkan ka përfunduar dhe se rajonit i takon e ardhmja e përbashkët evropiane. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve, që për mosmarrëveshjet të gjejnë gjithnjë zgjidhet e qëndrueshme dhe të cilat janë në interesin e përgjithshëm.

Thaçi: Serbia të kërkojë falje

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar për një gazetë gjermane, se Serbia jo vetëm nuk duhet të sillet në këtë mënyrë luftarake kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, por duhet të ketë guximin që të kërkojë falje. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frankfurter Rundshau”, Thaçi tha se ka ardhur koha që Serbia t’i kërkojë falje popullit të Kosovës. Për numrin e djeshëm të kësaj gazete, kryeministri Thaçi ka vlerësuar se “ka ardhur koha që Serbia ta lusë popullin e Kosovës për falje” duke shtuar se “nëse përmendet Serbia, në Kosovë kujtohet gjenocidi”. Thaçi ka theksuar se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe ka përjashtuar çdo mundësi që Kosova të pranojë një ndarje të Mitrovicës dhe të kalimit të saj brenda vijës kufitare të Beogradit. “Ardhmëria e Mitrovicës në të vërtetë është ardhmëria e Kosovës, pasi tërësia territoriale e vendit është e pacenueshme. Beogradi duhet të mësojë se për Serbinë nuk ka perspektivë evropiane, në qoftë se konteston sovranitetin e një vendi tjetër”, tha Kryeministri i Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›