Ish-ministri Barka hetohet për 160 milionët e OJF-ve
TIRANE – Tre vendime për akordim fondesh ndaj shoqatave të fëmijëve të ngujuar në Poliçan janë bërë shkak i hetimit që Prokuroria po zhvillon ndaj ish-ministrit të Punës, Kosta Barka. Ky i fundit është marrë në hetim nga Prokuroria, pasi u mësua se 22 fëmijë të ngujuar që ishin strehuar në Poliçan qëndronin në kushte të vështira, ndërkohë që fondet e akorduara nga ministria ishin vjedhur përmes mashtrimeve dhe falsifikimeve, duke shkuar në destinacione të tjera. “Fondet 22 dhe 32 milionë lekë të reja, të dhëna pas vitit 2006 e në vazhdim, dyshohet se janë bërë objekt abuzimesh dhe janë akorduar pa një garanci dhe studim paraprak se do të shkonin në destinacionin e deklaruar”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, objekt i hetimeve është edhe një financim prej 100 mijë dollarësh me kontribues Bankën Botërore, pasi edhe shuma e dhënë në këtë rast dyshohet se është bërë objekt abuzimesh. Prokuroria ka marrë në hetim Liljana Luanin, ish-drejtoreshë e qendrës, pushtetarë lokalë të Bashkisë së Poliçanit si dhe ish-punonjës të subjektit ku janë strehuar fëmijët për dy vjet. Sipas organit të akuzës, në mënyrë të organizuar personat që po hetohen në pushtetin lokal dhe ish-drejtuesit e qendrës kanë aplikuar në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për të marrë fonde. Më pas të dyshuarit kanë tërhequr paratë dhe sipas provave të mbledhura nga hetimet e deritanishme paratë kanë shkuar në destinacione të tjera, nga sa është deklaruar në ministri. Për këtë shkak objekt i hetimeve u bënë edhe zyrtarët e ministrisë, të cilët nuk kanë ushtruar kontrollin e duhur dhe nuk kanë marrë masat e nevojshme që financimet nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorët e huaj të shkonin për nevojat që ishin lëvruar, por të përfundonin në xhepat e personave të tjerë që punonin në pushtetin lokal apo në qendrën e strehimit të fëmijëve. tr.so