E Diel, 1 Nëntor 2026

Bën betimin ministri i parë afrikano-amerikan i Drejtësisë

 

Për herë të parë amerikanët do të kenë edhe një ministër drejtësie afrikano-amerikan. Erik Holder ishte propozimi i presidentit, Barak Obama për të drejtuar sektorin e drejtësisë dhe ky propozim mori një ditë më parë miratimin e Senatit për detyrën e re me 75 vota pro dhe 21 kundër. Komisioni i Senatit për çështjet juridike votoi javën e kaluar për konfirmimin e ish-gjykatësit federal, Erik Holder. Njëkohësisht, Holder merr edhe detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Dje Erik Holder u betua për detyrën e re me premtimin se do të kishte një shkëputje të qartë nga politikat e së kaluarës të administratës Bush, duke thënë se në Departamentin e Drejtësisë nuk do të ketë vend për favorizime politike. Holder tha se 110,000 nëpunësit e tij mund të shikojnë përpara për të punuar në një ambient ku nuk do të ketë arsye për të qenë të ndrojtur për shkak të përkatësive politike. “Ne kemi në dorë një botë të re për këtë vend”, tha ai duke iu referuar administratës së Obamës. “Distanca nga një shtëpi e vogël në Queens, Nju Jork, në katin e pestë të Departamentit të Drejtësisë nuk është aq larg sa mendoni ju dhe kjo është mrekullia e Amerikës”, tha ai. Ceremonia u drejtua nga zëvendës-presidenti Xho Bajden, i cili e vlerësoi Holderin si dikush, që kupton se është avokati i njerëzve dhe jo thjesht një pjesë e administratës së Shtëpisë së Bardhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›