Bakojanis, vizitë në Tiranë më 9 shkurt
Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis do të zhvillojë një vizitë një ditore në Tiranë më datën 9 shkurt. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i saj, Jorgo Kumucaku gjatë një takimi me gazetarët. Sipas zëdhënësit, vizita e shefes së diplomacisë së Jashtme greke, Bakojanis, kryhet në kuadrin drejtimit të presidencës së OSBE-së nga Greqia për vitin 2009. Madje, në këtë kuadër përpara se Bakojanis të mbërrijë në Tiranë do të ketë vijuar me vizitat e saj më 2 shkurt, në Beograd e Prishtinë, ku ajo do të takohet me liderët e dy vendeve. Vizita e Bakojanis në Shqipëri vjen menjëherë, pasi Parlamenti grek ka firmosur ratifikimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në, si dhe miratimit nga qeveria shqiptare të marrëveshjes për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke. Marrëdhëniet mes dy vendeve pritet të jenë në fokusin e bisedimeve mes dy kryediplomatëve, Teodora Bakojanis dhe Lulzim Basha. Në fokusin e bisedimeve pritet të jetë edhe çështja e investimeve greke në Shqipëri, si dhe marrëdhëniet me minoritetin. Kohët e fundit ka pasur shumë përplasje me shoqatën "Omonia". Mësohet se kryediplomatja greke do të zhvillojë disa vizita në disa vende të Ballkanit dhe më pas do ndalojë në Tiranë. Në këtë kuadër përpara se Bakojanis të mbërrijë në Tiranë do të ketë vijuar me vizitat e saj më 2 shkurt, në Beograd e Prishtinë, ku ajo do të takohet me liderët e dy vendeve.