E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, PD e PS shkelin Kodin Zgjedhor

 

BLEDAR HOTI

Partitë politike shkelin Kodin Zgjedhor që në hapin e parë të përgatitjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë respektuar afatin ligjor për të konstituar Komisionin e ri Qendror të Zgjedhjeve. Data 30 janar është afati i fundit ligjor, i parashikuar në Kodin Zgjedhor për ngritjen e KQZ-së. Palët nuk kanë arritur ende që të realizojnë procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve, që duhen për anëtarë të KQZ-së. Në nenin 181 të Kodit saktësohet se "Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji ose shpallja e tij, sipas pikës 2 të nenit 84 të Kushtetutës, zgjedh anëtarët e KQZ, sipas nenit 14 të këtij ligji". Presidenti Bamir Topi e dekretoi ligjin zgjedhor në datën 30 dhjetor 2008, duke sanksionuar se 30 janari është edhe limiti i fundit për të kompozuar KQZ-në e re. Në pikën 2, të këtij neni është sanksionuar se pas votimit në Parlament, një ditë më pas bëhet betimi i gjashtë anëtarëve të zgjedhur. Pra nëse votimi do të ishte kryer sot, i binte që anëtarët e rinj të betoheshin pikërisht brenda afatit ligjor 30 janarit. Sipas burimeve mësohet se dy partitë politike do të realizojnë një procedurë të tillë brenda ditës së hënë për të përmbyllur atë në seancën parlamentare të po kësaj dite. Ndërsa përgjatë këtyre ditëve ka pasur tentativa, që të negociohej mes demokratëve dhe socialistëve për kandidatët e mundshëm për në KQZ, por nuk është bërë e ditur ende nëse është diskutuar ndërmjet kryetarëve të grupeve të PS-së dhe PD-së, Valentina Leskaj dhe Astrit Patozi për emra konkretë. Nëpër ambientet e Parlamentit mësohet se ka pasur disa herë takime mes zyrtarëve të PS-së dhe atyre të PD-së për të realizuar zgjidhjen e këtij problemi. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj në një prononcim për "Panorama", deklaroi se "sot nuk është e mundur që të realizohet votimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së". "Sot, ne si PS depozitojmë në Kuvend emrat tanë për anëtarë të KQZ-së. Ne kështu nisim procedurën e konstituimit të KQZ-së", deklaroi Leskaj për "Panorama". Ndërsa sipas burimeve mësohet se edhe PD-ja pritet të realizojë të njëjtën procedurë ditën e sotme, duke depozituar emrat e saj në Kuvend. Në bazë të nenit 14, pika a) të Kodit Zgjedhor "2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare, që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë". Ndërsa në pikën b) të këtij neni theksohet se "subjektet propozuese, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, në përputhje me kriteret e parashikuara në shkronjën "a" të kësaj pike. Subjektet propozues të shkronjës "a" përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini". Nuk konfirmohet se nëse një procedurë e tillë e parashikuar në ligj ka ndodhur, nëse emrat që do të paraqiten janë konsensualë ose jo. Qarkullon një variant se PS dhe PD mund të rrëzojnë ndonjë nga emrat e paraqitur dhe procedura të nisë nga e para, nëse ndonjë nga emrat rrëzohet në seancën parlamentare të së hënës. Deri më tani vetëm Partia Republikane ka bërë publike emrat e saj për anëtarë të KQZ-së. Kreu i grupit të PR-së, Madhi ka bërë të ditur se ka mbledhur mbi 40 firma deputetësh të maxhorancës për dy emrat për në KQZ të Klement Zgurit dhe të Arben Braçes. Ndërsa PSD-ja ende nuk ka mbledhur firmat për anëtarin e saj në këtë institucion, ku duhet të paraqesë minimumi dy emra alternativë. Pritet që firmat ti mbledhë në seancën e sotme. Pandeli Varfi dhe Pavli Zëri janë përmenden si kandidatë të socialdemokratëve. Gjer më tani janë propozuar disa emra për në KQZ. Nuk përjashtohet mundësia që PS dhe PD të propozojnë emra anëtarësh aktualë të KQZ-së, për shkak se i nevojiten njerëzit, që kanë eksperiencë në këtë institucion.

Leskaj: Sot depozitojmë emrat
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka bërë të ditur se partia, që ajo përfaqëson do të depozitojë emrat për anëtarë të KQZ-së brenda ditës së sotme. "Sot ne si PS depozitojmë në Kuvend emrat tanë për anëtarë të KQZ-së. Ne kështu nisim procedurën e konstituimit të KQZ-së. Pra, të katër propozimet e PS-së për anëtarë të KQZ-së do të depozitohen brenda ditës së sotme, duke nisur kështu procedurën e konstituimit të këtij institucioni", deklaroi Leskaj. Ndërsa nuk ka bërë të ditur nëse emrat, që do të paraqiten janë kryer mbas konsultave me demokratët ose jo.

Kërkesat e sindikalistëve

Neni 181
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1. Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji ose shpallja e tij, sipas pikës 2 të nenit 84 të Kushtetutës, zgjedh anëtarët e KQZ, sipas nenit 14 të këtij Kodi.
2. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes.

Neni 14
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1. Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure:
a) 2 anëtarë propozohen nga partia, që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare, që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë;
b) subjektet propozues, në fazën e përzgjedhjes, paraqesin jo më pak se dy kandidatura për secilën vakancë. Kryetarët e grupeve parlamentare të subjekteve propozuese përzgjedhin kolegjialisht 4 kandidatura, në përputhje me kriteret e parashikuara në shkronjën "a" të kësaj pike. Subjektet propozuese të shkronjës "a" përzgjedhin një kandidaturë nga secila gjini;
c) kandidaturat e përzgjedhura sipas shkronjës "b" të kësaj pike i paraqiten Kuvendit për miratim;
2. Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, sipas këtij neni, zhvillohet në një ditë të vetme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›