Durrës, zjarr në hotel “Riviera”
DURRES - Hotel “Riviera”, i ndodhur në anë të shinave, vetëm 2 km larg vijës bregdetare është përfshirë befas nga flakët. Ngjarja ka ndodhur në orën 09:30, për motive ende të pazbardhura. Zjarri është konstatuar në katin e tretë të ndërtesës, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka ndaluar përhapjen e flakëve. Dy automjete të repartit zjarrfikës të shoqëruara nga një autoambulancë kanë vënë nën kontroll situatën. Në hotelin e periferisë së Durrësit, nuk ndodhej asnjë klient teksa ka shpërthyer zjarri. Fillimisht ka qenë kamerieri dhe më pas pronarët ata që luftuan me flakët. Ndërhyrja e zjarrfikësve largoi përfundimisht rrezikun brenda një kohe prej 30 minutash. Dyshohet se mund të jetë shkaktuar një qark i shkurtër, nga lënia ndezur e elektro-shtëpiakeve, që ka provokuar ndonjë shkëndijë. Flaka ka depërtuar në dy dhoma duke djegur perdet dhe qilimat. Sipas policisë dëmet kanë qenë të vogla, pasi zjarri është dalluar nga punonjësit e hotelit që në fazë fillestare. o.u