PS-LSI rrëzojnë rezolutën e PD
BLEDAR HOTI
PS dhe LSI bien dakord në Komisionin Parlamentar të Integrimit për të riformuluar projektrezolutë të ndryshme nga ajo e miratuar nga Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme. Deputetët e PS-së, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla bënë prezent kërkesën për rishikimin e rezolutës. Vetë opozita e ka cilësuar si jo të plotë rezolutën e miratuar në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme, duke kërkuar përcaktim të qartë që kanë institucionet shqiptare karshi BE-së. "Sugjerimet tona burojnë, pasi varianti i paraqitur nuk adreson së pari detyrimet që rrjedhin nga MSA-ja. Së dyti, sugjerimet tona kërkojnë që ekzekutivi shqiptar, përpara se të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit, t'i paraqesë Kuvendit një program pune me afate konkrete dhe me rezultate të plotësuara, që janë esenciale për të cilat vendi ynë vëzhgohet dhe monitorohet", deklaroi Ruçi. Ndërsa deputeti i PS-së, Balla ka deklaruar se projektrezoluta e hartuar nga Komisioni i Politikës së Jashtme nuk është i plotë. "Jemi munduar që ta rregullojmë materialin për ta sjellë atë në një formë më të përshtatshme, por edhe më të kuptueshme nga Brukseli", deklaroi Balla. Ndërsa deputeti i PD-së, Genc Juka u shpreh se "qeveria ka ndërmend të paraqesë një program të tillë dhe ne kërkojmë ndihmën e medias për të sensibilizuar opinionin publik, në mënyrë që të gjithë bashkë të kontribuojmë në këtë proces. Kemi marrë një vendim të përbashkët, që nga një vend potencial kandidat do të na bëjë të mundur si një vend kandidat". Kryekomisioneri Ilir Meta ka rënë dakord me qëndrimin e mbajtur nga deputetët e PS-së dhe të PD-së. "Jam dakord me të gjitha propozimet e bëra këtu nga ana e kolegëve. Do të ishte mirë që edhe Kryetarja e Kuvendit, përpara hedhjes së rezolutës të kërkojë edhe një herë konsensusin e gjithë kryetarëve të grupeve parlamentare, në mënyrë që në seancë të shkohet me një rezolutë të vetme dhe të plotë, dhe e theksoj sa më angazhuese", deklaroi Meta. Në p/rezolutën e Komisionit të Integrimit, do t'i kërkohet qeverisë paraqitja e një programi pune "me afate konkrete dhe rezultate të matshme, në të cilin duhet të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me (i) infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 qershor 2009; (ii) forcimin e kapaciteteve administrative për implementimin e MSA-së dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim; (iii) intensifikimin e luftës kundër korrupsionit; (iv) krimit të organizuar dhe (v) pastrimit të parave". Gjithashtu do t'i kërkohet që të raportohet dhe për "adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE; (vii) respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, (viii) të drejtës së pronës dhe (ix) lirisë së Mediave".