E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka do të rrisë kuotën e garantimit të depozitave

 

Redi Gjuzi

Banka e Shqipërisë ka në plan të rishikojë shumën e garantimit të depozitave. Në konferencën e djeshme për uljen me 0.5 për qind të interesit të lekut, Guvernatori Fullani, pranoi se po rishikohet edhe kufiri i garantimit të parave që kanë shqiptarët në banka. Edhe pse tangjent, guvernatori la të kuptohet se një vendim po shqyrtohet nga banka qendrore. "Përsa i përket rishikimit të kufirit të garantimit të depozitave, Banka e Shqipërisë në bazë të programeve te saj afatmesme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, do të marrë masat për një përafrim sa më të afërt të kufirit të sigurimit të depozitave". Përgjigjia e djeshme e Fullanit, ishte krejt e kundërt me atë të disa muajve më parë, kur nuk la shteg për një politikë të tillë. Sidoqoftë, lajmi është i mirë për të gjithë shqiptarët që kanë kursime në banka. Përafrimi me garantimin e BE do të thotë rritje e sigurisë për depozitat. Aktualisht garantohen deri në 700 mijë lekë depozita. Nga kjo shumë, 350 mijë lekë garantohen 100 për qind ndërsa pjesa tjetër 70 për qind. Ndërsa në vendet e BE, shuma e granatimit të depozitave shkon deri në 100 mijë euro ose totalisht të garantuara. Sidoqoftë, vendi që i garanton ato më pak, arrin të mbulojë deri në 50 mijë dollarë, ose ekuivalenten në valutë tjetër. Pra këto shifra dhe deklarata e djeshme e Fullanit do të thotë rritje e garantimit të depozitave, një lajm i mirë për besueshmërinë ndaj bankave.
Norma e interesit
Pas presionit të ekonomistëve dhe vetë biznesit, më në fund Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur uljen me 0.5 për qind të normës së interesit për lekun. Nga sot, norma bazë e interesit zbret në 5.75 për qind. Kjo është ulja më e madhe (me 0.5) që është ndërmarrë nga Banka, gjë që tregon se një veprim i tillë ndoshta duhej bërë prej kohësh. Sidoqoftë, efekti i uljes së normës së interesit pritet të prekë kreditë dhe depozitat. Të parat do të jenë më të lira, në lekë, pra më të leverdishme për biznesin, ndërsa depozitat më pak të frytshme. Sipas Fullanit, një veprim i tillë do të jetë i pari në fillimin e një periudhe lehtësimi të politikës monetare. "Stimuli i sotëm vlerësohet një hap në momentin e duhur, për të mbështetur ekonominë me kredi dhe nga ana tjetër, ndihmon në konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar të sistemit. Nëpërmjet këtij vendimi, krijohet më shumë frymëmarrje për aktivitetin ekonomik të vendit. Ai është një kontribut i drejtpërdrejtë për minimizimin e efekteve negative që vijnë nga kriza ndërkombëtare, si dhe ndihmon për qëndrueshmërinë e mëtejshme të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit".
Sipas Guvernatorit, problemi i ekonomisë shqiptare nga kriza botërore do të jenë mungesa e investimeve të huaja direkt, ulja e prurjeve nga emigrantët dhe ulja e kreditimit të bankave. Të tria këto kanë ndodhur gjatë muajve të fundit në Shqipëri. Kjo ishte edhe arsyeja pse banka më në fund vendosi të lehtësojë një ndër tre faktorët, atë të kreditimit.
Inflacioni
Një tjetër problem madhor pritet të shfaqet për ekonomitë botërore. Sipas Fullanit, inflacioni deri tani është mbajtur në hije, pasi problemi më i madh i ekonomive kanë qenë likuiditetet. Sidoqoftë shumë shpejt, ekonomistët duhet të përballen edhe me çmimet e konsumit. "Të mos harrojmë që i gjithë ky stimul i madh fiskalë dhe monetar, ky shi i madh likuiditeti i hedhur në të gjithë botën, për mendimin tim, padiskutim që çështjen e inflacionit, nga një çështje nën tavolinë, shumë shpejt do ta nxjerrë mbi tavolinë në rang botëror. Në këtë kuadër, kujdesi i veçantë i Bankës së Shqipërisë natyrisht do të jetë në drejtim të dhënies së gjithë stimujve, për një rritje të qëndrueshme dhe një stabilitet financiar afatgjatë, por duke pasur theks të veçantë mbi objektivin bazë të Bankës së Shqipërisë: mbajtjen e inflacionit nën kontroll."

Berisha në Davos: Kapërcimi i krizës përmes rregullave të reja

Për të kapërcyer krizën globale financiare, duhen hartuar rregulla të reja. "Jam i mendimit se duhen disa rregulla të reja, sepse është shumë e vështirë t'i bësh të besueshme dhe të ngjallësh rregulla të cilat lejuan të zhvillohet kjo krizë" ka thënë dje kreu u qeverisë shqiptare, Berisha, në një intervistë të dhënë gjatë punimeve të forumit të Davosit. Por edhe pse një ekonomi e vogël, Shqipëria do të preket nga kriza globale. Eksportet do të pësojnë rënie, po ashtu edhe të ardhurat e emigrantëve, dhe kjo si pasojë e krizës globale financiare. "Rënia e fuqisë blerëse në botë prek eksportet, remitancat që vijnë nga emigracioni, edhe ato mund të njohin kufizime, por në tërësi ekonomia shqiptare nuk do të përjetojë krizën e ekonomive të mëdha, sepse ka edhe ajo avantazhet e veta" ka thënë ai. Lidhur me këtë situatë, Berisha ka sqaruar se qeveria që ai drejton ka marrë disa masa antikrizë. "Shqipëria ka investuar 10-32 për qind të buxhetit të saj, ajo është qeveria që rreshtohet e dyta për sa i përket investimeve. Sot, një nga tendencat kryesore është shtimi i investimeve dhe ne po e bëjmë këtë, ulja e taksave, etj. Unë mendoj se parimet mbi të cilat është e vendosur reforma e ekonomisë shqiptare, janë parime antikrizë" ka thënë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›