Bala: Jemi me këmbë në tokë, nuk nënvlerësojmë kampionët
Sulmuesi i bardhebluve e shikon ndeshjen me Skënderbeun të vështirë dhe kërkon vëmendje ndaj kampionëve në fuqi
Bardheblutë e kryeqytetit qëndrojnë në krye të tabelës së klasifikimit falë golavarazhit më të mirë ndaj skuadrës durrsake, që është me pikë të barabarta me ta, pra 16. Te Tirana shumë futbollistë kanë gjetur golin dhe në disa ndeshje e kanë gjetur golin në limitet e kohës së rregullt apo asaj shtesë.
Një prej sulmuesëve të skuadrës, pikërisht Bekim Bala e ka bërë këtë gjë në ndeshjen kundër Bylisit, në fitore 3-2 të arritur në minutën e fundit të kohës shtesë. Bala ka arritur të shënojë 6 gola në shtatë javë kampionat dhe në një intervistë për Sportin shqiptar ai shprehet në lidhje me skuadrën e tij dhe mënyrën sesi po funksionon ajo në këto javë:
Kampionati E kemi filluar kampionatin me pak vështirësi, por tani jemi në rrugën e duhur dhe nuk ka më mirë se të jesh në vendin e parë të tabelës së klasifikimit. Si ekip nuk duhet kurrsesi të ndalojmë, sidomos në këtë ndeshje, që e shikoj sa të vështirë po aq edhe delikate.
Ne duhet të fitojmë patjetër për të qëndruar në krye, sepse jemi në rrugë të mbarë. Kam shënuar 6 gola në 7 javë kampionat dhe deri këtu nuk ka më mirë për një lojtar. Shpresoj të vazhdoj të shënoj akoma më shumë, dhe kjo duke më ndihmuar dhe shokët e ekipit, pasi jemi një grup i mirë dhe me përvojë.
Skënderbeu Ndeshja me Skënderbeun është e vështirë, pasi është ekipi kampion në fuqi. Është një ekip i fortë që po fillon të afrohet në vendet e para dhe po merr trajtën e sezonit të kaluar. Edhe pse ky ekip ka pasur oshilacione në ndeshjet e para, nuk duhet parë i tillë, pasi në disa raste shfaqet rrezikshëm dhe na prish shumë punë.
Gjithçka duhet marrë seriozisht në këtë takim dhe duhet të dalim fitimtarë si në rezultat po ashtu dhe në lojë. Dua të kujtoj një fakt, fitoren e superkupës ndaj tyre në Korçë, por situata nuk është më e tillë, ata kanë bërë përforcime, gjithashtu edhe ne, por duhet të tregojmë atë lojë që bëmë gjatë asaj ndeshje dhe të fitojmë për të arritur një shkëputje.
Golat në fund Ndihem mirë që kemi marrë disa fitore në minutat e fundit, sepse pikët e marra janë me shumë vlerë. Në këto ndeshje kam qenë dhe unë që kam shënuar në minutat e fundit duke i dhënë fitoren ekipit tim. Duhet vlerësuar ekipi, duhet vlerësuar stafi, gjithçka po ecën në rrugën e duhur dhe mendoj se veç meje ka të tjerë lojtarë që janë vendimtarë në skuadër.
Trajneri Që nga koha kur Rubio ka marrë timonin e ekipit ndihet dora e tij. Ai po bën një punë të mirë duke harmonizuar situatën, dhe kjo është një nga situatat më positive, pasi po ecim me moral të lartë në rrugën tonë. Na ndihmon shumë për të arritur fitore dhe them se ky është një çelës suksesi, përfundon 20-vjeçari shkodran i 24-herë kampionëve të vendit.
