E Shtunë, 31 Tetor 2026

Da Silva dhe Souza ikin në Brazil, dyshohen për shitje të takimit

Nga AGIM METAJ

Ekipi i Bylisit është tronditur jo vetëm nga masat e ashpra të ditës së martë nga Komisioni të Disiplinës, por tashmë do të vuajë edhe largimin e dy brazilianëve, Da Silva dhe Souza. Lajmi i papritur nga Ballshi vjen pasi dy qendërmbrojtësit brazilianë nuk janë paraqitur as në stërvitje dhe as në banesat e tyre. Vetëm më pas është kuptuar që Da Silva dhe Genivaldo Souza janë larguar në drejtim të vendlindjes së tyre, Brazilit.

Përpara dy ditësh, Bylisi zhvilloi një takim me stafin, ku trajtuan problematikat pas ndeshjes me Flamurtarin dhe diskutuan për masat e marra nga Koisioni i Disiplinës. Ditën e djeshme ballshiotët kanë zhvilluar një tjetër takim, ku kanë qenë të pranishëm edhe lojtarët dhe është folur për problematikat që janë shfaqur në lojën e Bylisit. Në këtë takim dy brazilianët, Da Silva dhe Souza, kanë qenë në qendër të kritikave, pasi janë cilësuar si fajtorët kryesorë të humbjes me Flamurtarin.

Madje ka qenë Da Silva i pari që ka kërkuar ndjesë dhe që ka marrë përsipër përgjegjësinë e tij. Mesa është mësuar më vonë, ata janë larguar nëpërmjet linjës Rinas-Milano. Largimi i tyre është realizuar në fshehtësi të plotë, pa dijeninë e klubit. Së bashku me sendet personale, dy lojtarët kanë marrë me vete edhe gjithë dokumentacionin që kishin në dispozicion. Ky fenomen është majft i çuditshëm dhe ndodh vetëm me lojtarët e huaj, siç ka ndodhur edhe disa vite më parë me afrikanin Akamba.

Por sensacioni i largimit të tyre nuk mbyllet me kaq, pasi pas zyrtarizimit të largimit të tyre, është hedhur menjëherë dyshimi se dy brazilianët kanë shitur ndeshjen me Flamurtarin. Tashmë mbi ta, përveç akuzave për shkelje të rëndë të kontratës, rëndon edhe akuza për shitje ndeshjesh dhe, sipas presidentit Kapllanaj, ata duhet të përballen e këto akuza me seriozitet. Da Silva dhe Souza kanë ardhur te Bylisi në janarin e këtij viti së bashku me katër brazilianë të tjerë, duke formuar një koloni të vogël braziliane.

Këta dy lojtarë së bashku me sulmuesin Uashington ishin ndër të vetmit që arritën të luajë në formacion për një kohë të gjatë. Da Silva sezonin e shkuar luajti plot 14 ndeshje me Bylisin, ndërsa në këtë sezon ai luajti 5 ndeshje. Ndërsa Souza ka luajtur 14 ndeshje gjatë sezonit të shkuar dhe është aktivizuar si titullar në 6 ndeshje të këtij sezoni. Ai ka arritur të shënojë edhe një gol në ndeshjen e fundit të sezonit të shkuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›