E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Balada e vëllait të vdekur”, legjenda ballkanase në Tiranë

Interpreton divja e skenës dhe ekranit shqiptar, Margarita Xhepa. Legjenda e famshme është vënë në skena të ndryshme të Ballkanit

Petrika GROSI
Siç bëri të ditur para pak kohësh, ekskluzivisht për gazetën “Albania”, aktorja Margarita Xhepa (e cila atëherë po nisej për në Greqi) tashmë “Balada e vëllait të vdekur” (Kostandinit dhe Doruntinës) vjen si pjesë e një projekti teatror interballkanik edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Një ndër legjendat më të vjetra që gjendet në mënyra të përngjashme gjithandej nëpër Ballkan, e njohur për shqiptarët edhe falë penës së Kadaresë siç është “Kostandini dhe Doruntina”, do të ngjitet në sallën e TK-së nesër pasdite nën një koncept të ri grek, të regjisorit Sotiris Hatzakis. E njëjta shfaqje, me në qendër baladën e moçme të njohur edhe në Bullgari, Rumani e Serbi, do të realizohet me aktorë të tjerë në vendet përkatëse. Roli i nënës së Kostandinit luhet nga tri aktore të ndryshme; për shqiptarët është zgjedhur Margarita Xhepa, për grekët Maria Katsiadaki, ndërsa për rumunët Maia Morgenstern. Aretia (Dorontina) luhet nga Kiti Selmani Djeçeviç, kurse Kostandini nga Nikos Arvanitis. Ritmi i
shfaqjes karakterizohet nga daullet dhe kori i zisë, që
cili këndon këngë tradicionale të zonave të Follorinës, Serbisë,
Bullgarisë, Përmetit, Bregut Jugor të Detit të Zi dhe Trakës. Përshtatja dhe realizimi i kësaj drame në disa skena të Ballkanit, si dhe historia e ngjashme e njohur për të gjithë këto treva tregon edhe njëherë se sa të afërt dhe të ngjashëm janë këto popuj me njëri-tjetrit, pavarësisht prirjeve nacionaliste për të gjetur të kundërtën dhe të veçantën. Për nga impakti, mesazhet, risitë, qëllimi dhe mënyra e konceptimit, ky projekt do të ishte padyshim një shembull i mirë për t’u ndjekur në të ardhmen edhe nga ne, ç’ka do të qe shumë me më tepër vlerë se sa dhjetra festivale të dështuara e të sajuara teatri, për të cilat janë dhënë dhe shpërdoruar fondet e pakta që shkojnë për artin dhe kulturën në Shqipëri.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›