E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Trojanët” dhe “Filumena”, këtë fundjavë në TK



Këtë fundjavë, (data 17-19 prill) në skenën e Teatrit Kombëtar do të rikthehen edhe njëherë dy shfaqjet e suksesshme të vëna në skenën gjatë muajve të fundit siç janë “Trojanët” e Euripidit dhe “Filumena Marturano” e Edurado De Filipos. Sa i përket kryeveprës të Euripidit, ajo vihet në skenë nga regjisori grek Vangjelis Theudoropulos, i cili nën një vizion krejt origjinal të vetin mundohet të tejçojë te publiku legjendën e luftës së Trojës. Tragjedia e ka zanafillën pikërisht te fundi i kësaj lufte historike. Anijet e grekëve triumfues janë gati për t’u kthyer në Greqi, ndërkohë që trojanet janë të mbledhura si robina lufte në port dhe presin në ankth shortin që do t’i ndajë te komandantët helenë. Personazhi i Hekubës (Margarita Xhepa) është mishërimi i tragjedisë trojane. Bija e saj, Kasandra i dorëzohet si skllave Agamemnonit dhe parashikon fatkeqësitë që do ta presin heroin në atdheun e tij, ndërsa Andromaka jeton tragjedinë e humbjes të djalit të vet, Astianaksit, që grekët e hedhin nga muret e Trojës. Ndërkaq, Helena ka një brengë edhe më të rëndë; mbi ndërgjegjien e saj i rëndon përgjegjësia e shkatërrimit dhe plaçkitjes së Trojës. Tragjedia mbyllet me djegien e Trojës. Përkrah të madhës Margarita Xhepa, që është vlerësuar edhe si personazhi i vitit në teatër për interpretimin brilant të Hekubës në këtë tragjedi, interpretojnë edhe aktore të tjera të njohurasi Marjeta Larja, Ema Andrea, Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku. E teksa folëm për “Trojanët”, po ndalemi pak edhe te komedia “Filumena Marturano” e dramaturgut të famshëm italian Edurardo de Filipo. Me regji të Albret Mingës, skenografi të “Artistit të Popullit” Agim Zajmi dhe interpretim të aktorëve Yllka Mujo e Bujar Asqeriu, Tinka Kurti e Olta Gixhari, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Fadil Kujofca etj., publikut i serviret sërish historia e ish-prostitutës që pas një jetese të gjatë me borgjezin napolitan Domeniko Soriano, e detyron këtë të fundit që t’u japë mbiemrin e tij tre fëmijëve të saj... Situatat e ndryshme, fati i dhimbshëm i një gruaje si Filumena, intrigat dhe atmosfera komike, do ta shoqërojnë publikun gjatë gjithë kohës.

15 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›