E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balak mposht Junajted, Çelsi rihap kampionatin

Dygolëshi i Mikael Balak i dhuron Çelsit fitoren 2-1 përballë Mançester Junajted, duke rihapur garën për titullin kampion në Angli. Mesfushori gjerman hapi serinë e golave vetëm pak sekonda përpara mbylljes së pjesës së parë, pas një devijimi të saktë me kokë. Në mesin e fraksionit të dytë të lojës ka menduar Uein Runi për të risjellë baraspeshën. Megjithatë, goli i fitores së bluve është shënuar sërish nga Balak, që ka ekzekutuar në mënyrë të përkryer një penallti të kontestuar, pas prekjes me dorë nga Karrik. Me këtë fitore Çelsi barazon me pikë Junajted në krye të klasifikimit, por skuadra e Ferguson vazhdon të jetë e para pasi ka shënuar më shumë gola. Në humbjen e "Red Devils" kanë ndikuar zgjedhjet e teknikut skocez, që përpara gjysmëfinales së kthimit me Barcelonën ka lënë pushim një pjesë të titullarëve. Nga ana tjetër, Grant ka luajtur me formacionin më të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›