E Diel, 1 Nëntor 2026

Baldushk, Olldashi: PS me një politikë pa krye, të bazuar në korrupsion



Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, zhvilloi një takim me banorët e Komunës Baldushk, ku u kërkoi qytetarëve të kësaj komune të votojnë alternativën e duhur. Duke folur mbi politikën e PS-së “përtej së majtës dhe së djathtës”, Olldashi tha se kjo politikë nuk ka krye dhe se bazohet tek korrupsioni dhe nihilizmi. “Kemi një PS me një politikë pa krye, me një politikë që bazohet mbi baltosjen dhe gënjeshtrat që arrijnë deri në marrëzi. Një PS të përfaqësuar nga një kryetar që prej kohesh thotë “përtej së majtës dhe të djathtës”, por që vetëm mashtron opinionin publik dhe gjithçka e ka bazuar te korrupsioni dhe nihilizmi”, - tha Olldashi. Ai tha më tej se kreu i PS-së përmend Gërdecin, por aspak Delijorgjin, dhe kjo sipas tij, bëhet për shkak se Rama ka një marrëdhënie biznesi të pisët me të. “Kryetari i PS-së përmend Gërdecin, por as ai dhe asnjë tjetër në Partinë Socialiste nuk përmendin kurrë emrin e Mihal Delijorgjit. Rama i ka dhënë atij 30 leje ndërtimi në këmbim të milionave, ashtu siç i kanë dhënë, gjithmonë në këmbim të milionave, dhe më parë në kohën e Majkos kontratën e tankeve”, - deklaroi Olldashi. Ministri i qeverisë “Berisha” kërkoi besimin e qytetarëve të Baldushkut edhe për katër vitet e ardhshme. “E gjithë kjo punë e qeverisë shqiptare, të gjitha arritjet e saj, dyfishimi i pensioneve të vogla në fshat; i premtuar, i realizuar; dyfishimi i rrogave të mësuesve dhe infermierëve; i premtuar, i realizuar, ulja e ndjeshme e taksave, e premtuar e realizuar, bëjnë që çdo drejtues i Partisë Demokratike të dalë ballëhapur para zgjedhësve dhe të kërkojë serish votën e tyre me 28 qershor”, - tha ai. Olldashi shoqërohej në këtë takim nga deputeti i PD-së, Aldo Bumçi dhe zëvendësministri i Brendshme, Gent Strazimiri. Zëvendësministri i Brendshëm, duke përshëndetur të pranishmit, vlerësoi kontributin e tyre dhe besimin e shndërruar në vota që ata patën tek Partia Demokratike. “Votuat programin për reformat në vitin 2005 dhe 2007. Për shkak të këtyre reformave ne ulemi sot si të barabartë me kombet më të përparuara të globit në tryezën e NATO-s”, - tha Strazimiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›