E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat, Rama heq Majkon nga Korça



Çdo ditë e më e vështirë po bëhet për deputetët aktualë të Partisë Socialiste, që të riciklohen në Parlamentin e ardhshëm. Ndërrimi i zonave elektorale tradicionale është një nga strategjitë e reja që Edi Rama pritet të përdorë në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, shumë emra të njohur të PS në vite, njerëz me kontribute dhe me funksione të larta në historinë e kësaj partie, do të rrezikojnë seriozisht përfaqësimin e mëtejshëm në Parlament. Sipas burimeve në PS, deri më tani është folur emri i Pandeli Majkos, deputet i Korçës, i cili ka përfaqësuar PS-në në Kuvend që prej vitit 1992. Ai ka ardhur më 3 korrik në Parlament pas fitores me 44.6 për qind të votave në zonën zgjedhore 82 të qarkut të Korçës. Por siç bëjnë të ditura burimet pranë kryetarit aktual socialist, Majko nuk do të jetë në listat e këtij qarku, por në listat e ndonjë qarku tjetër, ku mundësia më e madhe është Dibra. Nuk dihen akoma arsye pse Edi Rama po i bën këto lëvizje, përveçse duken se janë të rrezikshme për vetë Majkon dhe të tjera figura të vjetra të PS-së, gjithashtu pritet të ndikojnë negativisht në elektoratin e kësaj partie dhe në rezultatet zgjedhore që do të arrijë në zgjedhjet e qershorit. Përveç Majkos, flitet që dhe emra të tjerë të lëvizin nga zonat e tyre tradicionale, ku ndihen më të sigurt për shkak të elektoratit të tyre mbështetës. Sistemi i ri elektoral tashmë imponon që votuesit të mos zgjedhin emrin e kandidatit, por të votojnë për partinë, por gjithsesi do të dihen emrat e kandidatëve që partia do të ketë në listë në një qark të caktuar. Kjo e bën pak të ngjashëm votimin me votimet e mëparshme, ku votuesit e një qarku të caktuar do të kenë parasysh disa emra kur të shkojnë në kutinë e votimit, edhe pse do hedhin votën vetëm për subjektin politik.

Interferenca në lista

Është e dukshme tashmë që G99, partia më e re e futur në koalicionin e drejtuar nga Rama, do të ketë influencën e saj në listat e Partisë Socialiste. Burime në PS bëjnë të ditur se përveçse do të bëjnë fushatë si aleatë politikë në zgjedhje, për të bërë të mundur përfaqësimin në Kuvendin e ardhshëm të lëvizjes së drejtuar nga Erion Veliaj, do të ketë dhe futje të emrave të kësaj partie në listat e PS-së. Ndërkohë në listën e partisë më të madhe të opozitës pritet të ketë dhe emra që vijnë nga radhët e lëvizjes “Mjaft”, siç është rasti i Erisa Spiropalit, e cila vetëm para pak ditësh u largua nga ekipi drejtues i “Mjaft”-it për t’u futur në radhët e socialistëve.

PS, trajnime si të sillen në debatet televizive

Debatet televizive do të jenë dhe pasqyra e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Partia Socialiste po i kushton një rëndësi të veçantë kësaj paraqitjeje televizive, duke bërë trajnime të posaçme për sjelljen e përfaqësuesve të saj nëpër debate. Një eksperte amerikane e punësuar nga PS në prag të fushatës po bën seminare trajnuese në Durrës me të rinjtë e PS-së. Trajnimi konsiston në përballimin e debateve televizive me kundërshtarët demokratë dhe marrjen e këshillave për mënyrën se si ata duhet të sillen në këto debate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›