E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta flet për të drejtat e minoriteteve



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, ka përshëndetur dje “Konferencë e minoriteteve” të organizuar nga Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (LDLNJ), e cila tashmë është aleate e LSI-së. Gjatë këtij takimi, Meta ka prekur për herë të parë problemin e minoriteteve në vend. Ai tha se “është për të ardhur keq që kërkohet të arrihet një proces integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian, kur ne brenda vendit kemi jo procese integruese, por polarizuese nga pikëpamja sociale, shoqërore, ekonomike dhe padyshim këto pasoja i vuan sot vendi ynë, në mënyrë të veçantë këto minoritete”. Duke e bërë pjesë të programit të mëtejshëm të koalicionit të tij politike këtë çështje, kreu i LSI theksoi se “unë jam këtu sot për të dhënë një mesazh për një integrim brenda vendit, brenda shoqërisë sonë, sepse në fund të fundit standardi i respektimit të pakicave është standard i demokracisë në vend”. Në këtë drejtim, sipas Metës, “ne shohim që ka shumë fjalë, por nuk ka veprim, nuk ka vendime, nuk ka projekte, dhe nuk ka ndërgjegjësim real për të rritur kushtet e jetesës në këto pakica”. Ndaj kryetari i LSI-së shtoi se “ne kemi një program të veçantë sikurse është punësimi jetik për të ndihmuar shtresat më të prekura të shoqërisë sonë. Që do të thotë, për çdo familje që nuk ka një të ardhur, apo një pagë të qëndrueshme, një prej anëtarëve të familjes do të punësohet nëpërmjet programeve që ne do të ndërmarrim për nxitjen e investimeve publike pranë komunitetit”. Gjithashtu, Meta shtoi se “përveç këtij projekti që është një program shumë i shpejtë për të nxjerrë vendin nga kjo krizë akute, unë ju siguroj që në qeverisjen e ardhshme të gjitha vendimet do të merren në funksion të rritjes së punësimit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›