Berluskoni: Pa Italinë, Rasmussen nuk do të emërohej në krye të NATO-s
"Pa ndërhyrjen tonë nuk do të ishte arritur emërimi i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe kjo do të kishte qenë shumë e rëndë", - deklaroi dje Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, në një komunikim me median në përfundim të Samitit BE-SHBA në Pragë. Kryeministri italian, duke iu referuar zhvillimeve të djeshme të samitit të NATO-s në Strasburg, ku kryeministri danez, Rasmussen, më në fund u zgjodh në postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, u shpreh se sot në Pragë të gjithë i ishin mirënjohës për rolin e tij si ndërmjetës. "Më falënderuan për punën që bëra me Kryeministrin turk, Erdogan", - vazhdoi në fjalën e tij Berluskoni. Në fakt, dje Kryeministri italian bisedoi gjatë në telefon me Kryeministrin turk për çështjen e sekretarit të ri të Aleancës. Turqia ishte i vetmi vend i NATO-s që kundërshtonte zgjedhjen e Rasmussen. Ai nuk e humbi këtë rast për të bërë komentet e tij për Presidentin amerikan, me të cilin u takua për herë të parë në samitin e G20-s. Berluskoni vlerësoi lart vlerat dhe vizionin e Presidentit amerikan, Barack Obama, në trajtimin e çështjeve të rëndësishme në marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "I bëra komplimentet e mia presidentit Obama për ndërhyrjen që ai bëri, sepse në këtë mënyrë ai konfirmoi të gjitha vlerat dhe la vërtet një përshtypje të mirë tek të gjithë ne për vizionin e tij, zgjuarsinë, qartësinë dhe thjeshtësinë, për mënyrën se si i parashtron çështjet, mënyrë që vërtet na befasoi", - u shpreh ai.