Vendlindja e Berishës vishet me flamujt e NATO-s
Në skajin më të largët të Shqipërisë, atje ku kufiri bashkohet me shtetin tjetër shqiptar, Kosovën, ka pasur më shumë se kurrë arsye për të festuar. Anëtarësimi në NATO i vendit tonë ka gjetur të veshur me flamuj kuq e zi dhe blu qytetin e Bajram-Currit në Tropojë dhe ka mbledhur mijëra qytetarë në një tubim të organizuar nga deputeti i PD-së, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Kështu vendlindja e Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, është bërë pjesë e festimeve dhe pse 125 kilometra larg kryeqytetit, ku ndizeshin fishekzjarrët dhe bëhej festë e madhe në sheshin “Skënderbej”. Festimeve i janë bashkuar dhe banorët e fshatit Vuçitol, ku ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë Kryeministri aktual, i cili përfaqësoi Shqipërinë në tryezën e 28 vendeve anëtare të NATO-s në samitin e 3 dhe 4 prillit në Strasburg dhe Këln. E në këtë rast banorët e këtij fshati kanë një arsye më shumë për të festuar. Gjana ka zgjedhur dje Komunën Tropojë e Vjetër, një komunë malore në verilindje të vendit, shumë pranë kufirit me Kosovën për të bërë takimin e tij me këtë rast. Qendra e Komunës Tropojë e Vjetër ka qenë “e veshur” me flamuj kombëtarë dhe flamuj të NATO-s dhe është mbushur si rrallë herë nga qindra banorë të fshatrave të kësaj komune, përfshirë dhe fshatin Vuçitol, ku ka lindur Berisha. Duke mbajtur fjalim para banorëve të kësaj komune, Gjana tha se “e organizojmë këtë takim në Komunën Tropojë e Vjetër, pasi ishte Kryeministri Sali Berisha, njeriu që premtoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por edhe njeriu që e realizoi atë”. Ai është fokusuar pikërisht tek roli i Berishës në këtë arritje të vendit dhe tek reformat e mëdha të qeverisë nën drejtimin e tij. Gjana, i cili ishte një nga iniciatorët e këtij takimi festiv, që u mbështet dhe nga drejtuesit e pushtetit vendor, u ka bërë të ditur tropojanëve se tashmë janë qytetarë të një aleance demokratike ku bëjnë pjesë vendet më të fuqishme të planetit. Po dje, jo vetëm Tropoja i është bashkuar gëzimit të anëtarësimit në NATO. Shumë qytete të tjera kanë organizuar ceremoni festive me këtë rast, ndërkohë që delegacioni që përfaqësoi Shqipërinë në samit u kthye në Tiranë, për të marrë pjesë në festimeve e organizuara me këtë rast.