Kreret e shtetit festojnë bashkë në Strasburg
Kanë shuar të gjitha hamendësimet për marrëdhënie të ftohta apo akoma më keq, për konflikte institucionale. Krerët e shtetit shqiptar edhe pse në mënyrë protokollare nuk kanë qenë dhe aq të bashkuar, prapa kamerave kanë shfaqur një tjetër marrëdhënie, duke zgjedhur shoqërinë e njëri-tjetrit atëherë kur nuk ua imponon protokolli apo marrëdhëniet institucionale. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministrat Basha, Oketa dhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar ku nuk mungonin as gazetarët kanë darkuar të gjithë bashkë në një lokal në Strasburg fill pas përfundimit të debateve të gjata të Samitit të NATO-s, që zgjati deri në orët e vona të pasdites. Pavarësisht fjalëve për marrëdhënie të ftohta mes tyre, Berisha dhe Topi kanë qëndruar për disa orë në shoqërinë e njëri-tjetrit, duke treguar kështu se përtej disa konflikteve në distancë apo deklaratave kontradiktore, vazhdojnë të komunikojnë normalisht. Të dy krerët e shtetit udhëtuan në të njëjtin “Çarter” për në Strasburg, ku morën pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota. Po pavarësisht se udhëtuan bashkë, dy krerët nuk u panë të ishin së bashku në shumë evente, përveç tryezës së diskutimit në samit, ku ishin ulur krah njëri-tjetrit. Por kjo mospërputhje e takimeve apo lëvizjeve të tyre gjatë dy ditëve të samitit duket se nuk ka pasur asnjë prapavijë konflikti, megjithëse disa media e interpretuan kësisoj në Tiranë. Një darkë e përzemërt mes delegacionit zyrtar në këtë samit ka përmbyllur këtë vizitë historike të tyre në Strasburg. Kujtimet dhe batutat nga takimet e atyre dy ditëve kanë qenë pjesë e bisedave informale të Berishës e Topit, ndërkohë që të dy kanë vlerësuar rëndësinë që ka për vendin një arritje e tillë, rëndësi që ata të dy me të drejtë e kanë cilësuar si historike. Sigurisht, ata kanë ndarë së bashku dhe impresionet e takimit me Presidentin amerikan, Barack Obama, një takim disaminutësh, por me një simbolikë të fortë, ku Obama u dorëzoi presidentëve të dy vendeve anëtare të reja protokollin e Uashingtonit. Më herët në tryezën e diskutimit të 28 vendeve anëtare të NATO-s, Presidenti Topi e më pas Kryeministri Berisha mbajtën nga një fjalim të veçantë para homologëve të tyre të NATO-s, ku treguan mirënjohjen për pranimin në gjirin e kësaj aleance. Shqipëria kishte të drejtën e qëndrimit të saj të barabartë me vendet e tjera për disa çështje që u diskutuan në samit, siç ishte zgjedhja e pasardhësit të Sekretarit të Përgjithshëm, Shefer dhe strategjia e re për Afganistanin. Në delegacionin shqiptar ishin gjithashtu ministrat Lulzim Basha dhe Gazmend Oketa, kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi dhe një pjesëtar i opozitës, pikërisht kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj.
Berisha nga Rinasi: Kjo, dita e së ardhmes sonë të sigurt
Kryeministri Sali Berisha, sapo zbriti nga Rinasi, falënderoi të gjithë shqiptarët për kontributin e dhënë që vendi i tyre u bë anëtar i NATO-s. “Qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, dua t’u uroj gëzuar ditën e parë të NATO-s, ditën e mrekullisë së lirisë, ditën e dinjitetit tonë kombëtar, ditën e të ardhmes sonë të sigurt”, - deklaroi Berisha. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shprehu “mirënjohje për shqiptarët, të cilët që nga viti ‘90 kontribuuan me qëndrime, me veprime, me përkushtimin e tyre në konsolidimin e lirisë dhe të vlerave të saj, konsolidimin e tregut dhe vlerave të tij, reformave të thella e të shumanshme që bënë të mundur këtë ditë”. Një falënderim të veçantë Berisha dha edhe për Forcat e Armatosura të vendit. Kryeministri Sali Berisha falënderoi më pas shtetet mike, veçanërisht SHBA-në, si dhe gjithë qeveritë perëndimore dhe anëtare të NATO-s. Ai nuk harroi edhe qytetarët e thjeshtë, që me punën e tyre dhanë siguri për vendin e tyre. “Një falënderim dhe mirënjohje të gjithë ekspertëve, specialistëve, drejtuesve, zyrtarëve, që me një vendosmëri të paparë proceduan gjatë këtyre viteve, në një luftë me zero tolerancë me krimin e organizuar, korrupsionin, që po mbyllnin progresivisht dyert e Aleancës për Shqipërinë dhe shqiptarët, rivendosën në Shqipëri, rendin, qetësinë, sigurinë, rikthyen transparencën e domosdoshme dhe bënë të mundur që të kthehemi nga Strasburgu si anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, - falënderoi Berisha.
Qytetarët shoqërojnë eskortën nga Rinasi
Zbritja në aeroportin “Nënë Tereza” të delegacionit shqiptar nuk u shoqërua vetëm me një pritje zyrtare të Gardës së Republikës, por edhe nga mijëra qytetarë shqiptarë. Pas mesazheve të kreut të qeverisë dhe Presidentit, mijëra qytetarë shoqëruan eskortën deri në Tiranë. Kthimi i Kryeministrit Berisha, gjatë rrugës deri në selinë e Këshillit të Ministrave, u shoqërua nga qindra qytetarë, të cilët kishin dekoruar makinat e tyre me flamuj të NATO-s dhe flamuj kombëtarë. Gjatë kthimit nga Rinasi për në Tiranë, Kryeministri Berisha u përshëndet nga një grup fëmijësh, tek vendi i quajtur Fusha e Balonave, ku fëmijët lëshuan qindra balona me mbishkrimin “Shqipëria në NATO”. Duke e ndarë këtë gëzim së bashku me fëmijët, Kryeministri Berisha i uroi ata për këtë ditë të madhe për mbarë kombin dhe ëndrrat e tyre. Por kreu i qeverisë, Berisha, zbriti nga makina përsëri për t’u përshëndetur me qindra qytetarë që ndodheshin në sheshin “Skënderbej”.
Dhjetëra gazetarë intervistojnë Kryeministrin në Strasburg
Hyrja e Shqipërisë në NATO ka ngjallur një interes të madh nga mediat më me ndikim në botë, të cilat kanë realizuar me Kryeministrin Sali Berisha dhjetëra intervista, gjatë qëndrimit në Strasburg. Kryeministri dha një intervistë për gazetën “Ëashington Post” dhe për një nga gazetarët më të njohur të kësaj gazete, Ed Cody, drejtor i Zyrës së Parisit për këtë gazetë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u intervistua nga gazetarja e “Bloomberg Neës”, Helene Fouquet. Kryeministri dha një intervistë edhe për kanalin televiziv franko-gjerman “Arte”, i cili ndoqi delegacionin shqiptar gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e NATO-s të Strasburgut. Një interesim në këtë samit tregoi dhe agjencia kineze e lajmeve, “Xinhua Neës Agency”, e cila intervistoi Kryeministrin përmes gazetarit të njohur, korrespondentit në Bruksel të saj, Shang Xuqian, i cili mbulon problemet mbi Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Gjithashtu, Kryeministri u intervistua edhe nga dhjetëra gazetarë të mediave të tjera ndërkombëtare që shoqëronin delegacionet zyrtare të vendeve të tyre në Strasburg. Në këto intervista, është folur edhe për tema të tjera si mbarëvajtja e procesit parazgjedhor, mbi hapat e ndërmarra për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe për impaktin e krizës ekonomike botërore në Shqipëri dhe masat e marra nga qeveria shqiptare në këtë drejtim. Kryeministri Berisha u shpreh se dita e anëtarësimit në NATO ishte një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se, pas kësaj, Shqipëria është një vend më i sigurt dhe më i lirë. Ai dha mesazhin e qartë për vazhdimësinë e reformave në vend.
Topi nga Rinasi falënderon të gjithë shqiptarët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pas kthimit nga Samiti i NATO-s u prit me një ceremoni zyrtare me roje nderi dhe bandë muzikore në aeroportin “Nënë Tereza”, ku më pas në një deklaratë falënderoi të gjithë qytetarët shqiptarë për kontributin. Kreu i shtetit tha se anëtarësimi në NATO është një kontribut i përbashkët i të gjithëve ne dhe aleatëve të shqiptarëve. “Pa dyshim vullnetit dhe dëshirës së popullit shqiptar, institucioneve të saj, i është bashkëngjitur vullneti i aleatëve tanë, të cilët na mbështetën sot në këtë rrugë. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë, në mënyrë të veçantë aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju falënderoj dhe juve gjithashtu, sepse keni bërë të mundur të përcillni të gjitha momentet më të rëndësishme, atë që ka pasur të bëjë me aspiratën e thellë të popullit tonë, me atë që kanë bërë institucionet shqiptare, reformat që kemi zhvilluar, takimet e shumta ndërkombëtare dhe mbi të gjitha evenimentin që u realizua dje dhe suksesin e plotë”, - deklaroi kreu i shtetit, Bamir Topi.
Oketa: Ndihmë për Kosovën të arrijë NATO-n
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi se Shqipëria do të ndihmojë Kosovën si aspirante të anëtarësohet sa më shpejt në NATO. Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ndikon pozitivisht në të gjithë rajonin, duke krijuar një klimë pozitive bashkëpunimi dhe sigurie. Oketa tha se edhe Kosova do të ndjekë të njëjtin objektiv dhe Republika e Shqipërisë do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar në këtë drejtim. “Padyshim edhe Kosova do të ketë të njëjtin destinacion dhe Shqipëria sigurisht do të shërbejë si një shembull pozitiv, si një rrugë tashmë e përshkuar edhe për Kosovën. Pa dyshim që ne do të vëmë në dispozicion gjithçka mundemi dhe kemi, në mënyrë që edhe shteti i Kosovës të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur në strukturat euroatlantike”, - deklaroi Oketa. Ministri tha më tej se tashmë NATO ka një politikë për hapjen e dyerve. Tashmë nga “Karta e Adriatik 3”, që përbëhej nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, është zgjeruar dhe është bërë në formatin “Adriatik 3+2”, duke u shtuar me dy vende të reja, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën.