Vendimi, pension i plotë për emigrantët në Itali
Lehtësim për emigrantët vendosi ditë më parë qeveria italiane, për të marrë pensionin e pleqërisë në kushte më të favorshme sesa shtetasit e vet. Kjo vlen vetëm për ata emigrantë, të cilët do të kenë më shumë se njëzet vjet në Itali dhe që kanë qenë mbi dyzet vjeç, kur kanë emigruar drejt vendit fqinj. Në këtë mënyrë, vendimi i qeverisë italiane që u bë i ditur nga faqja zyrtare e Ministrisë së Solidaritetit të vendit fqinj, përcakton se të gjithë të huajt që plotësojnë 60 vjeç, duhet të kenë vetëm 20 vjet punë që të dalin në pension të plotë në Itali, e jo 35 siç është për vendasit. Ky vendim vlen për të gjitha ato vende që Italia nuk ka marrëveshje për pensionet e emigrantëve, një prej të cilave është edhe Shqipëria.
Emigrantët, në skemën e pensioneve
“Për emigrantët që do të shkojnë në moshën e pensionit do të ketë një të ardhme të sigurt”, - deklaroi drejtori i “Karitasit”, që është nismëtari i këtij projekti. “Me kriteret e tanishme do të duhej punë e vazhdueshme për 40 vjet me pesë vjet pushim ndërmjet që dikush të merrte pension të plotë me 60 për qind të pagës së fundit. Por për emigrantët, të paktën këta të brezit të parë, karriera mund të jetë e çrregullt dhe ata do të përftojnë pension”. Pensionistët e rinj do të jenë kryesisht femra, rreth 207 mijë, të cilat kanë qenë të punësuara në punë shtëpiake dhe që do të marrin më shpejt pension se burrat për shkak të moshës së daljes në pension, që për meshkujt është pesë vjet më e madhe. Në veri të Italisë do të jenë më shumë emigrantë pensionistë, me qendër kryesore Lombardinë, e më pas Toskanën, Kampanjën e diku nga fundi Lacion, me kryeqytetin italian. Për sa i përket kombësisë, në grupin e parë të personave që do të marrin pension, shqiptarët përbëjnë forcën e dytë më të madhe, me tridhjetë mijë, duke pasur përpara në listë vetëm ukrainasit me 35 mijë. Më pas vijnë, marokenët, polakët dhe filipinasit.
Shqiptarët, me më shumë përparësi
“Shqiptarët janë më të pasurit në Itali”. Ky ishte përfundimi i arritur nga kërkimi i zhvilluar nga “Universiteti i Padovas” në Itali. Kjo do të thotë pak a shumë, që mundësitë ekonomike të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë dhe punojnë në Itali, kanë ardhur nga puna e tyre, e vazhdueshme, çka përbën edhe kushtin e vetëm për të marrë një pension të plotë në vendin fqinj. Në këtë mënyrë, përfundimet e arritura pas studimit të kryer nga kërkues të “Universitetit të Padovas”, popullsia shqiptare që jeton dhe punon në vendin përtej Adriatikut tregojnë një sërë të dhënash mbi mbijetesën e tyre ekonomike, duke u klasifikuar në vend të parë për të gjitha çështjet, mbi të cilat u krye kërkimi. Shqiptarët rezultuan të ishin më mirë të paguarit ndërmjet emigrantëve të tjerë, pasi sipas italianëve, ata janë më profesionistët, e për më shumë gama e punëve që mbulon komuniteti shqiptar në Itali është shumë herë më e madhe se e emigrantëve të tjerë, e krahasueshme madje edhe me vetë italianët. Rreth një e dyta e rrogave të shqiptarëve kursehej nga vetë ata, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe zhvillimin ekonomik të vendit amë. Në vend të fundit janë vendasit, të cilët harxhojnë pothuajse të gjitha të ardhurat e tyre, duke kursyer vetëm një të njëzetën e rrogës që marrin. Ky sihariq, i bërë i ditur nga Ministria italiane e Solidaritetit dhe nga “Karitasi”, sjell për herë të parë një ndryshim në politikat qeveritare kundrejt emigrantëve në Ballkan.