E Diel, 1 Nëntor 2026

“Balerina” kap 3 persona, do të trafikonin një femër për prostitutë

03/03/2009  Trafikantët i premtuan 21-vjeçares se do ta dërgonin në Greqi si balerinë

Tre durrsakët e morën nga qyteti bregdetar dhe e kishin dërguar në Korçë

TIRANE- Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së shtetit pasi dyshohen se ata kanë rekrutuar për të trafikuar në drejtim të Greqisë shtetasen 21-vjeçare me inicialet M. LL. Lidhur me këto veprime kriminale ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në bashkëpunim edhe me efektivat e policisë së shtetit ditën e djeshme finalizuan operacionin e koduar “Balerina”, ku në prangat e të cilit ranë shtetasit Mehdi Xhihani 45 vjeç nga Korça, por banues në Durrës, Xhemal Zenuni 21 vjeç nga Elbasani, por banues në Shijak dhe Altin Brahimi 25 vjeç nga qyteti i Durrësit. Burime jozyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se tre personat e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundur të mashtrojnë 21-vjeçaren M. LL., duke i thënë asaj se do e çonin në shtetin grek për balerinë, profesion ky që sipas burimeve ishte shumë i dashur për të dëmtuarën. Nga “fusha e luleve” që i paraqitnin tre të arrestuarit, 21-vjeçarja nga Durrësi ka pranuar ofertën e tyre për t’u larguar në Greqi, vend në të cilin ajo shpresonte të bënte ëndrrën e saj realitet. Menjëherë pas dhënies “ok”, tre personat e dyshuar e kanë transportuar atë në qytetin juglindor të Korçës. Prej këtej vajza me inicialet M. LL. së bashku me shtetasin Mehdi Xhihani do i drejtohej kufirit malor, të cilin mësohet se do e përshkonin në këmbë. Mirëpo plani i trafikantëve është prishur atëherë kur kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilat ndaluan në kushtet e flagrancës tre personat e lartpërmendur. Mësohet se uniformat blu janë vënë në dijeni për ngjarjen nga një denoncim që kanë kryer prindërit e 21-vjeçares, të cilët kanë deklaruar në policinë e Durrësit se vajza e tyre është rrëmbyer nga tre persona, për qëllime trafikimi si prostitutë në rrugët e shtetit helen. Menjëherë pas këtij kallëzimi policia ka ngritur një grup hetimor ku brenda të cilit ndodheshin edhe disa ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Falë punës hetimore të kryer nga agjentët në teren si dhe dokumentimit të çështjes nga prokurorët, është mundësuar identifikimi dhe lokalizimi i tre personave të dyshuar. Mbi bazën e informacioneve dhe provave që dispononin, specialistët e Krimeve të Rënda kanë kërkuar ditën e diel pranë gjykatës lëshimin e tre urdhër-arresteve për të dyshuarit. Aktualisht organi i akuzës është duke marrë në pyetje të arrestuarit si dhe vetë të dëmtuarën me inicialet M. LL. Mësohet se kjo e fundit do i nënshtrohet disa ekspertizave mjeko-ligjore, pasi dyshohet se 21-vjeçarja mund të jetë përdhunuar gjatë kohës kur ka qenë e shoqëruar nga tre të arrestuarit. Ndërkohë mbi ta është ngritur akuza e “Trafikut të femrave”. Ata dyshohen edhe për tre raste të tjera.

Kontrabandistët

Një turk dhe një shqiptar nga Maqedonia, të dënuar me burg dhe gjobë për kontrabandim të klandestinëve, janë arrestuar nga policia e Tiranës. Ali Ademi, 52-vjeç, lindur në Shkup e banues në Tiranë si dhe Yasin Ozal, 29-vjeç, me kombësi turke, janë vënë në pranga ditën e djeshme sepse Gjykata për Krimet e Rënda i ka shpallur ata fajtorë për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri” dhe pjesëmarrje në bandë kriminale. Ata janë kapur dje pas një operacioni të policisë së kryeqytetit, pasi 52-vjeçari Ali Ademi është dënuar nga gjykata me 6 vjet e 10 muaj burg, si dhe 5.3 milionë lekë të reja gjobë, ndërsa bashkëpunëtori i tij turk Yasin Ozal, është dënuar me 7 vjet burgim dhe 5.3 milionë lekë të reja gjobë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›