E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Matrix 4”, të pandehurit pranojnë gjykimin sipas provave

03/03/2009  Të akuzuar për vjedhjen e bankomateve

TIRANË- Nis procesi gjyqësor kundër 15 të pandehurve arrestuar gjatë operacionit të koduar “Matrix 4”. Ata u ulën dje për herë të parë në bankën e të akuzuarve. Që në fillim të seancës gjyqësore, pa filluar ende prokurori të marrë fjalën e të lexoi kërkesën për gjykim, 14 prej tyre pranuan të gjykohen në bazë të provave që gjenden në dosjen e Prokurorisë, pa dashur t’i nënshtrohen marrjes së provave gjatë seancës gjyqësore. Një prej të pandehurve nuk u pajtua me këtë status. Ky është Endri Mezuraj. Për këtë të pandehur avokati kërkoi veçimin e çështjes, kërkesë e cila u pranua nga trupi gjykues. 15 të pandehurit e kësaj çështjeje, Anil dhe Endrit Gjergjani, Alban Bare, Blerim Abazi, Endri Mezuraj, Enea Çela, Fatmir Borshi, Fatmir Kolmarku, Flamur Gashi, Indrit Abazi, Klajdi Terolli, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Redi Çikani dhe Rei Karapici përballen me akuzat, "mashtrim në bashkëpunim të disa personave më shumë se një herë" dhe "falsifikim i letrave me vlerë". Ata u prangosën në fillim të gushtit të vitit të kaluar në kuadër të operacionit policor të koduar "Matrix 4". Të pandehurit akuzohen se kanë klonuar kartat e kreditit tip "Vissa" dhe "Master Card", duke shkaktuar vjedhjen në dhjetëra degë bankare të një shume të konsiderueshme. Viktimat e tyre ishin qytetarë të huaj, kodet dhe numrat e llogarive bankare që grupi i adoleshentëve shqiptarë i blinte "online" në internet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›