E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Itali, zi e lot në familjen Gonaj

03/03/2009  Babai niset për të marrë trupat. Në Vrakë dhjetëra banorët ngushëllojnë të afërmit

SHKODER- Tragjedia që përfshiu një pjesë të familjes Gonaj në Itali, ku vdiqën nëna dhe dy fëmijët e saj është bërë pjesë e dhimbjes së pamasë jo vetëm për pjesëtarët e tjerë dhe rrethin e kësaj familje, por edhe për të gjithë zonën ku ato para disa vitesh ndërtuan shtëpinë e tyre.

Zi në familje

Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm me qindra banorë të Vrakës, por edhe mjaft të tjerë nga fshatrat përreth kanë marrë rrugën drejt familjes Gonaj në Vrakë për të ngushëlluar këtë familje shqiptare që pësoi një tragjedi të evitueshme në Itali ku dhe ishin emigrantë prej vitesh. Ndërkohë familjarët dhe të afërmit me lot që nuk dinë të shterojnë presin tre arkivole me trupat e pa jetë të të dashurve të tyre që humbën jetën në Itali. Por jo vetëm familjarët, por e gjithë zona e Shkodrës ka vuajtur së bashku me familjarët kur kanë marrë vesh tragjedinë e Angjelina Gonaj dhe dy fëmijëve të saj Dorianit dhe Dorianës, viktima të mopërfilljes. Ndërkohë dhimbja është munduar të fshihet për shkak të babait të nënës së fëmijëve, të cilit nuk i kishin treguar aspak për tragjedinë e nipit dhe mbesës, por vetëm për vdekjen e vajzës së tij. Ndërkohë gratë qanin me të madhe në dhomën e tyre përballë një fotoje ku ishin së bashku nëna dhe dy fëmijët e saj viktima të një tragjedie të pakuptimtë për vendin ku ndodhi. Nga ana tjetër në oborr burrat e fisit, me dhëmbët që shtrëngonin nga dhimbja fshihnin gulçet e dhimbjes teksa po ndërtonin një tendë për ceremoninë mortore në oborrin e shtëpisë trekatëshe. Të gjithë vetëm qanin, ndërkohë që bashkëshorti i viktimës, shtetasi Gëzim Gonaj, babai i dy fëmijëve fatkeq ishte nisur në Itali për të marrë trupat e familjes së tij të djegur. Ai kishte nisur të ndërtonte një shtëpi të re për familjen e tij, e cila nuk është më. Ndërkohë banorët kërkojnë drejtësi nga shteti italian dhe ai shqiptar.

Gjyshja Zoje

Dhimbja kishte shkatërruar zemrën e të gjithëve, por sidomos të gjyshes Zoje Gojaj, e cila me forcën e një malësoreje përmbledh forcat dhe tregon me një zë që shprehtë të gjithë vuajtjen që po përjetonte. “Për fatkeqësinë e madhe që na ka zënë na treguan aty nga dreka të afërmit e nuses së Gëzimit. Në shtëpi na erdhi daja i nuses që i tregoi fillimisht Gëzimit se i ishte djegur e shoqja duke gatuar. Nuk i tha se kishte vdekur, por se ishte rëndë në spital. Nuk e dinim të gjithë historinë, ndoshta as a ata, por Gëzimi u nis menjëherë për në Itali. Sot në mëngjes më treguan mua, pasi më thanë të bëhesha e fortë se një gjëmë e madhe kishte ndodhë. E pyeta djalin tim Petritin se ç’kishte ndodhur, por e pashë se po nguronte të më tregonte të gjithë të vërtetën. Djali nuk mundte me fol prej lotëve dhe vetëm pas disa minutave kur unë fillova të kuptoja se diçka e shumë e rëndë kishte ndodhë mundi me më tregu”, tregon gjyshja Zoje. Ndërkaq Zojes i kujtohet se natën kur i biri ishte kthyer nga Italia kishte folur dy herë me të shoqen dhe fëmijët. “Nuk më hiqet nga mendja zëri i Dorianit dhe Dorianës tek më flisnin në telefon”.

Hetimet, ngjarja si “vrasje e paqëllimshme”

Cigarja në dhomën me gaz, shkak i shpërthimit

FIRENCE- Një ditë pas tragjedisë së rëndë shqiptare, ku humbën jetën 3 anëtarë të familjes Gonaj, rrjedha e hetimeve po shkon drejt vrasjes, por të pavullnetshme. Burimet e policisë italiane thanë se është “vrasje e paqëllimshme” hipoteza e krimit mbi të cilën po heton Prokuroria e Firences, lidhur me shpërthimin e regjistruar mëngjesin e 1 marsit, ku humbën jetën 3 anëtarë të një familjeje shqiptare. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, dinamika e ngjarjes është ende për t’u ndërtuar. Sipas burimeve, rrjedhja e gazit që shkaktoi shpërthimin ishte në katin e parë ku jetonte një person që mbeti i plagosur rëndë. Bëhet fjalë pikërisht për pronarin e shtëpisë, 38-vjeçarin Tomaso Mengoni, i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi. Ky i fundit deklaroi dje se shpërthimi ishte regjistruar pasi kishte ndezur një cigare. Ai shpëtoi falë spostimit të ajrit që e nxori jashtë shtëpie. Ndërkohë, në provincën ku ndodhi tragjedia, në Barberino del Muxhelo, ditën e mërkurë do të mbahet zi për gruan shqiptare dhe fëmijët e saj që humbën jetën në shpërthim. Grilat e dritareve do të jenë të ulura, ndërsa zyrat shtetërore të mbyllura. Nga hetimet e para ka rezultuar se lënia hapur e rubinetave të gazit nga pronari i shtëpisë shkaktoi edhe shkëndijën që më pas u transformua në shpërthimin e fuqishëm. Fqinjët rrëfyen se pak minuta para shpërthimit, nëna e tyre (edhe ajo mbeti e shkrumbuar) kishte ndier erën e rëndë të gazit dhe shkoi për të lajmëruar pronarin e shtëpisë, por sapo u ngjit sërish gjithçka u hodh në erë. Këtë fakt e ka pohuar edhe pronari i shtëpisë, 38-vjeçari Mengoni, i cili tha se Angjelina i kishte thënë se në shtëpi ndihej era e rëndë e gazit, por kur ndezi cigaren nuk e kishte menduar fare efektin tragjik. Në lidhje me djegien e vetë pronarit të shtëpisë, fqinjët kanë treguar për mediat italiane se “Burri ishte i përfshirë nga flakët dhe në tension e sipër u bërtiste shqiptarëve që të zbrisnin menjëherë poshtë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›