E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cigarja shkaktoi tragjedinë shqiptare në Itali

Autori i Lajmit: red.
Pronari i shtëpisë ku humbën jetën pjesëtarët e familjes Gonaj pranon se zjarri ka nisur pasi ai ka ndezur një cigare në dhomën ku kishte rrjedhur gazi. Edhe pse gjendet në gjendje kritike për jetën në spital, italiani ka shpjeguar për policinë gjithë ngjarjen. Ndërkohë që në familjen Gonaj në Malësi të Madhe është hapur morti, dhe të afërmit presin trupat e tre të dashurve të tyre. Pas ngjarjes tragjike, në Firence të Italisë, ku nëna dhe dy fëmijët e saj humbën jetën pas shpërthimit të gazit, në Malësi të Madhe, aty ku janë edhe të afërmit e familjes Gonaj, është hapur zija. Familja e Gëzim Gonajt, bashkëshortit të Anxhelina Gonajt, pret e përcjellë që nga dita e diel me dhjetëra njerëz që vijnë për ngushëllim. Mësohet se gjyshja e fëmijëve Zojë Gonaj, tregon se lajmin e morën përmes telefonit ku rreth darkës së të dielës tek shtëpia e tyre erdhi daja i Anxhelinës, duke i thënë Gëzimit se e shoqia kishte pësuar djegie gjatë gatimit. Dhimbjes së familjarëve u shtohet dhe pamundësia për të tërhequr tre trupat pa jetë. Familjarët kërkojnë nga shteti që të ndërhyjë që sa më shpejt të bëjë të mundur kthimin e trupave të pajetë në atdhe, ndërsa shprehen se përgjegjësia duhet të bjerë mbi dikë.
Një ditë përpara se të ndodhte tragjedia gjyshja e fëmijëve tregon se kish folur në telefon me ta dhe i priste që gjatë verës të vinin në Shqipëri, por tashmë shprehet ajo “as nuk do t i dëgjoj më dhe as nuk do t i shoh më”. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën nëna me dy fëmijët e saj, ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Firence. Edhe pse familja e emigrantëve kishte kërkuar disa herë ndihmë nga policia për sjelljet e papërgjegjshme të pronarit të shtëpisë ku jetonin me qira, asnjëherë nuk ishin marrë masa. Kalimtarët e rastit në lagjen ku ndodhi tragjedia, u kanë kërkuar fëmijëve të hidhen nga dritaret se do t i ndihmonin, por përpjekja e tyre ka qenë e kotë, pasi tavani i shtëpisë i ka zënë brenda.

Ky lajm është publikuar: 03/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›