E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Gjyqësori, problem sërisht ryshfetet

Autori i Lajmit: red.
Qyteti i Durrësit renditet i pari për nga koeficienti i lartë i krimit. Ndërkohë që, dosjet e pronësisë dhe kalimi i paligjshëm i kufirit janë dy çështjet kryesore ku duhet të fokusohet puna e togave të zeza. Këto kanë qenë tri çështjet më të prekura nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu gjatë analizës vjetore në Gjykatën e Durrësit. Spahiu deklaroi se në këtë qytet janë të hapura dhjetëra procese gjyqësore për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa kërkoi transparencë në çështjet e doganave dhe analizë për çështjet civile të pronësisë.
Deklarata
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka vënë dje në shënjestër gjyqtarët e Gjykatës së Durrësit. Në fjalën e tij gjatë analizës vjetore Spahiu ka ngritur si çështje kryesore ryshfetet që merren për çështje të ndryshme. Ndërkohë që ju ka kërkuar gjyqtarëve më shumë veprime të shpejta në lidhje me gjykimin e çështjeve, duke shtuar se KLD-ja është duke studiuar një rrugë të re për kapërcimin e këtij shqetësimi të qytetarëve. Në deklaratën e tij përfaqësuesi i KLD-së u shpreh se në të gjithë gjykatat e vendit, problem mbetet transpararenca dhe lufta ndaj korrupsionit, kjo pasi ryshfeti vazhdon të vërtitet si një shqetësim në Gjygjësor. Ndërsa, në fund të fjalës Spahiu u shpreh se do të zbatohet një strategji e qartë në mbrojtje të gjyqtarëve, që fenomenet negative të korrupsionit apo aferave të mbetet një problem në individë dhe jo një fenomen në sistem. Sipas tij, kanë qenë këto shkeljet që vit pas viti kanë cënuar në jo pak raste imazhin e gjyqësorit, duke u renditur si i korruptuar. Spahiu u kërkoi togave të zeza korrektësi në respektimin e procedurave ligjore të të drejtave të njeriut, si dhe tranparencë maksimale përsa i përket bashkëpunimit me partnerët e huaj, me qëllim realizimin e një sërë programesh, përfshirë këtu dhe trajnimin e gjyqtarëve.
Analiza
Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Ervin Metalla ka mbajtur raportin e punës për vitin 2008. Metalla ka theksuar se në 5 vitet e fundit Gjykata e Shkallës së Parë ka një rritje të vazhdueshme të volumit të punës, ndërkohë që shifrat flasin për një rritje prej 10 për qind të çështjeve që gjykohen në një vit. Në vitin që sapo është mbyllur kjo gjykatë ka marrë në shqyrtim 7747 çështje gjithsej, 518 urdhra ekzekutimi si dhe 946 kërkesa paraprake. Gjithashtu, dje ka raportuar për punën vjetore dhe kreu i Gjykatës së Apelit, Petrit Çeno. Ky i fundit theksoi se gjyqtarët e Apelit janë mjaft të ngarkuar, ndërkohë që mjaft çështje janë të mbartura nga viti 2005 dhe në vazhdim. Gjykata e Apelit në Durrës ka regjistruar për vitin që shkoi, 2172 çështje gjithsej, ndërkohë që kanë përfunduar 1465 dhe në gjykim janë 1634 të tjera.
Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›