Zhurmues & kanoçe
• Edmond Tupja
Në kohën e diktaturës komuniste, për t'i penguar me çdo kusht shqiptarët e izoluar të shihnin emisionet "degjeneruese" të kanaleve televizive të vendeve të quajtura kapitaliste dhe revizioniste, Partia e Punës dhe shteti i saj nxituan të vinin në punë zhurmuesit, sidomos për kanalet italiane dhe jugosllave. Por dihet që çdo veprim sjell një kundërveprim, prandaj u sajuan edhe kanoçet, pikërisht për të asnjanësuar zhurmuesit. Sot, kjo lloj kanoçeje është harruar, sepse një kanoçe tjetër e ka zëvendësuar, me një kuptim krejt të ndryshëm, atë të birrës jo me shishe qelqi. Zhurmuesit gjithashtu janë harruar. Të paktën deri tani.
Them të paktën deri tani sepse, në disa vende perëndimore shumë të zhvilluara sapo është shpikur dhe vënë në përdorim një lloj zhurmuesi i ngjashëm me ata të vjetrit. Në vendet e sapopërmendura, prej kohësh janë bërë problem zhurmat njerëzore që shkaktojnë kryesisht të rinjtë duke biseduar e thirrur me zë të lartë, duke ngritur në kupë të qiellit radiot apo manjetofonët e tyre. Kështu që, për t'i shmangur këto zhurma, sapo janë hedhur në treg, për t'u përdorur jo vetëm nga bashkësitë, por edhe nga individët e shqetësuar, disa tipa zhurmuesish me ultratinguj të tillë që kapen vetëm nga veshët e moshave të reja. Provat dolën me sukses dhe tani këta zhurmues po gjejnë një përdorim masiv për t'i detyruar të rinjtë e zhurmshëm të largohen nga vendet ku sjellin shqetësim për më të vjetrit.
Një përdorim masiv do të gjejnë ata me siguri edhe në vendin tonë, sidomos në Tiranën e zhurmshme, kur në çdo orë të ditës, që në të aguar, madje edhe në çdo orë të mbrëmjes deri afër mesnatës, zhurmat njerëzore (britma, buçima, çjerrje, gërthitje, gumëzhima, klithma, piskama, të qara, të qeshura, sokëllima, ulërima, uturima, thirrma e vikama) të cingërisin nervat, të ndërpresin mendimet, të shkartisin ndjenjat, të përzënë gjumin etj., etj. I vetmi problem që shtrohet është se duhen porositur shpikësit dhe prodhuesit e zhurmuesve në fjalë, që malli i tyre për tregun shqiptar të jetë i tillë që të largojë jo vetëm moshat e reja, por edhe ato më të rritura, sepse shqiptarët në përgjithësi, sidomos në Tiranë, e kuptojnë dhe e shijojnë kaq mirë, bukur e thellë lirinë e fjalës saqë vetëm bërtasin në mos ulërijnë për shtatë palë qejfe edhe kur do t'u mjaftonte të flisnin normalisht për t'u marrë vesh ose, ç'është e vërteta (e hidhur sa më s'bëhet), për të bërë sikur merren vesh.
Nga ana tjetër, po të mbajmë parasysh disa veçori të zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe disa tipare të klasës politike shqiptare, kryesisht të pozitës dhe veçanërisht të opozitës, sidomos në parlament [mos harroni t'i referoheni zbulimit të kolegut dhe mikut tim të ri Françesk Armadhi lidhur me etimologjinë e re të fjalës "parlament": parlament = parla + ment, ku parla vjen nga italishtja parlare ose frëngjishtja parler (flas), ndërsa ment nga italishtja mentire ose frëngjishtja mentir (gënjej)], del haptas nevoja e ngutshme për vendosjen e zhurmuesve të tillë pikërisht në Kuvendin tonë të nderuar, ku fjalët e kundërfjalët, pyetjet e kundërpyetjet, përgjigjet e kundërpërgjigjet, argumentet e kundërargumentet dhe zhurma të tjera të qarta apo të dyshimta janë nganjëherë kaq të padurueshme (madje deri në atë pikë sa Françesk Armadhi, tek i shihte e i dëgjonte një ditë në televizor tha: "Jo më larg se dje, nuk ma hante mendja se baballarëve të kombit tonë do t'u priste kaq shumë kordha majtas e djathtas"; po, kështu tha, vetëm se, pa dashje, i shkau goja dhe u këmbeu vendet shkronjave nistore "p" dhe "k" tek fjalët "priste" dhe "kordha", gjë për të cilën unë, kolegu dhe miku i tij, u kërkoj atyre ndjesë).
Sigurisht, ka të ngjarë që vënia në përdorim e zhurmuesve modernë të sjellë si pasojë, për të anuluar veprimin e tyre, shpikjen e ndonjë kanoçeje të re deri diku të ngjashme me kanoçen e kohës së diktaturës komuniste. Them deri diku, sepse, kjo kanoçe mund të konceptohet në mënyrë të tillë që të përdoret, në rast urgjence madhore, edhe për të kryer disa nevoja vetjake të pacilësueshme publikisht.
Them të pacilësueshme publikisht, sepse, në të kundërt, pra, po të cilësoheshin me emër shprehimisht, do të na kujtonin pak a shumë emrin e ushtarit të mbrapshtë Otto Rack, kundërshtar i ushtarit të mirë Shvejk, që e përdorte pagurin e vet, në llogoret e Luftës së Parë Botërore, në një mënyrë krejt origjinale.