Balla: Qeveria të heqë dorë nga taksa e votës
Deputeti i PS-së për Librazhdin, Taulant Balla, ishte dje në rrethinat e këtij qyteti, ku bisedoi me disa familje për pamundësinë ekonomike dhe varfërinë në rritje. Balla i bëri edhe një herë thirrje qeverisë në emër të këtyre banorëve që të hiqet taksa e votës: "Është fatkeqësi që ende kjo qeveri vazhdon të bëjë politikë me të drejtën e njerëzve për të votuar. Është një e drejtë e pamohueshme për të gjithë këta banorë këtu. Është e pamundur për ta që të paguajnë taksën e votës", tha Balla. Ai vuri në dukje se është momenti për t‘i bërë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga kjo taksë e votës, pasi të gjithë këta njerëz, pjesa më e madhe jetojnë në varfëri dhe e kanë të pamundur të paguajnë kartën e identitetit. "E kanë të pamundur të mbyllin 15-ditëshin me aq pak para që sigurojnë nga pensioni apo nga të ardhura të tjera, e jo më të kenë të ardhura për të paguar kartën e identitetit".