E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata në kufi pas Pashkëve

Kthimi i emigrantëve drejt Greqisë pas festës së Pashkëve Ortodokse ka rënduar situatën në kufi. Mijëra mjete kanë qëndruar në radhë, duke krijuar një karvan prej rreth tre kilometrash të gjatë. Radha e mjeteve në mesditë ka arritur deri në fshatin Kapshticë, ndërsa nga ana e policisë janë vendosur patrulla të shumta për të mbajtur nën kontroll trafikun e rënduar, për të mos lejuar kalimin e mjeteve jashtë radhëve dhe për të shmangur bllokimin e rrugës. Përtej traut të parë doganor kanë qëndruar në pritje qindra mjete të vogla, ndërkohë që rreshtit të gjatë i janë shtuar edhe 22 autobusë të linjave ndërkombëtare. Rëndimi i situatës në kufi, sipas emigrantëve, ka ndodhur jo vetëm për faktin se një pjesë shumë e madhe e tyre po kthehen në të njëjtën ditë në vendet e punës, por edhe për faktin se është punuar me ritme të ngadalta. Në vendkalimin kufitar të Kapshticës, gjatë paradites së djeshme kanë kaluar mesatarisht 500 njerëz në orë. Sipas komandantit të pikës kufitare të Kapshticës, Dritan Sheme, gjatë 24 orëve pritej që nga ky vendkalim të iknin drejt Greqisë të paktën 10 mijë shtetas, një shifër e lartë kjo për t‘u përballuar. Ai pohon se nga ana e palës shqiptare janë marrë masat dhe është punuar me pesë sportele, ndërkohë që mjetet të cilat lejohen të hyjnë në territorin doganor janë mbajtur të ndara në tri rreshta për të lehtësuar më tej punën dhe dy të tjera kanë qenë vetëm për përpunimin e shtetasve që udhëtojnë me autobusë. Nga ana e palës shqiptare konfirmohet se nga takimet e kryera me palën greke, kjo e fundit ka vendosur të shtojë numrin e sporteleve deri në pesë të tilla, pasi gjatë turnit të parë nga ana e policisë greke u punua vetëm me tri sportele, duke ngadalësuar punën. Nga ky vendkalim kufitar kanë hyrë në territorin vendas për festën e Pashkëve të paktën 87 mijë shqiptarë, ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre pritet të kalojë në ditët e para të kësaj jave për shkak të rifillimit të punës në shtetin fqinj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›