Forma e kompensimit për pensionistët
ISSH-ja dhe Posta Shqiptare, bazuar në vendimin 336 të KM, datë 15.04.2009, kanë nënshkruar marrëveshjen për të bërë të mundur pajisjen e të gjithë pensionistëve pa pasaportë me kuponin e pajisjes me kartë identiteti që nga 1 maji 2009, si dhe rimbursimin e të gjithë atyre që kanë aplikuar përpara kësaj date për letërnjoftimin. Pensionistët që nuk kanë aplikuar ende do të pajisen me këtë kupon ditën e marrjes së pensionit. Të gjithë pensionistët që janë pa pasaportë dhe që kanë pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit do të rimbursohen me 1000 lekë, ndërsa do t‘u mbahet nga pagesa mujore në momentin e tërheqjes së pensionit vetëm shuma prej 200 lekësh. Ndërkaq, do të rimbursohen në masën 400 lekë të gjithë personat pa pasaportë që përfitojnë pension pleqërie mbi pensionin minimal në qytet, të plotë, të pjesshëm ose pension invaliditeti, si dhe personat në ngarkim të tyre, të cilët janë pa të ardhura. Pagesa e kompensimit bëhet për aplikimet e kryera deri më 20 qershor 2009, apo letërnjoftimet e marra deri më 28 qershor 2009.